Triumfi historik i PSG-së në finalen e Champions League ndaj Interit (5-0) nuk ishte thjesht një moment lavdie për trajnerin Luis Enrique. Për teknikun spanjoll, kjo ndeshje solli kujtime të dhimbshme, por edhe të çmuara, për vajzën e tij të ndjerë, Xana, e cila u nda nga jeta në vitin 2019 në moshën vetëm 9-vjeçare.
“E dini çfarë ka kaluar familja jonë me humbjen e Xanas. Në jetë, lindim dhe vdesim, këto janë të vetmet gjëra të sigurta, por askush nuk e pranon lehtë vdekjen. Me kalimin e viteve kemi mësuar të jetojmë ndryshe, në një mënyrë që na përmbush”, tha Enrique pas finales.
Ai theksoi se, edhe pse nuk është më fizikisht mes tyre, Xana është gjithmonë e pranishme shpirtërisht. “Kjo ndeshje më kujtoi se sa shumë e donte vrapimin në fushë dhe se do ta kishte shijuar këtë moment. Në një farë mënyre, ajo e shijoi, përmes motrës, vëllait dhe nesh, prindërve të saj.”
Pamjet e finales sollën në kujtesë edhe momentet nga viti 2015, kur Xana festonte me flamurin e Barcelonës pas fitores së Championsit, hera e fundit që katalanasit e fituan këtë trofe.
Për PSG-në, suksesi ndaj Interit shënoi titullin e parë në histori në Champions League, një fitore që për Luis Enriquen ishte shumë më tepër se një arritje sportive. Ishte një kujtim i gjallë për dashurinë dhe forcën familjare.
Komente
