Luis Rubiales, ish-presidenti i Federatës Spanjolle të Futbollit, dëshmoi dje për katër orë përpara Gjykatës së Hetimit Nr. 4 në Majadahonda (Madrid) për përfshirjen e tij në të ashtuquajturën “çështja Brody”, lidhur me Superkupën e Spanjës të organizuar në Arabinë Saudite.
Rubiales, raporton shtypi iberik, u shfaq "i sigurt dhe vendimtar" në përgjigjet e të gjitha pyetjeve që i bëheshin në sallën e gjyqit.
Ai ka mohuar para gjyqtarit parregullsitë e kontratës së Superkupës dhe nënvizoi se ishte një marrëveshje kyçe për të ringjallur futbollin spanjoll pas humbjeve të shkaktuara nga pandemia Covid-19.
"Ne shpëtuam sistemin e futbollit. Futbolli spanjoll mund të kishte vdekur dhe ia dolëm. Rritja e xhiros nga 140 në 400 milionë euro. Kam arritur të bëj që Spanja të fitojë Kupën e Botës 2030. Kontakti me kompaninë Kosmos nuk është vendosur nga Federata, por nga Gerard Pique, i cili ka kontaktuar edhe kompaninë arabe më pas u miratua nga Komiteti i Etikës i Federatës dhe Departamenti i Pajtueshmërisë,” citohet të ketë thënë Rubiales në dëshminë e tij.
Ish-presidenti, i detyruar të jepte dorëheqjen pas stuhisë së shkaktuar nga puthja jo konsensuale dhënë Jennifer Hermoso, është nën hetim për krimet e pastrimit të parave, korrupsionit, administrimit të gabuar dhe anëtarësimit në një organizatë kriminale.