Në të njëjtat ditë që Luiz Ejlli dhe pjesëmarrësit e tjerë në Big Brother Vip kanë marrë vëmendjen e shumë shqiptarëve e shumë intelektualëve që i gjykojnë, analizojnë, promovojnë apo mallkojnë, një tjetër shkodran, vetëm 18 vjeç, sapo ka dalë nga dyert e jetimores së Shkodrës dhe po përpiqet të gjejë dhe të mbledhë bashkë copëzat e jëtës së tij të re.
Eshtë Luis Sheta, që këto ditë tregoi historinë e tij në “Pa Gjurmë”, emisionin e Odeta Dumes në Report TV. Eshtë një djalë i mrekullueshëm, i rritur jetim, por që në fjalët që thotë kupton se në kokën e tij, në dëshirat dhe ëndrrat e tij nuk ka qenë kurrë vetëm. Luisi është rritur me “urinë” e madhe për të gjetur nënën dhe vëllezërit e tij. Dhe siç ndodh shpeshherë, kur nuk kanë asnjë mundësi tjetër, shqiptarët që kanë halle trokasin në dyert e gazetarëve sepse e dinë që do ta gjejnë përherë të hapur atë.
Mendoni, një 18 vjeçar që nuk mund të vazhdojë të rrijë më në jetimore, vetëm me 10 mijë lekë në xhep të dhëna nga shteti, duhet të gjejë një shtëpi, një punë… dhe familjen. Por pesha e madhe në supet Luisit nuk ka marrë dot vëmendjen e personazheve, vip apo jo, që sot janë përqëndruar në Big Brother dhe e shohin sikur ky spektalël të ishte çdo gjë, sikur ky spektakël të ishte Shqipëria sot, vetë jeta, kultura, sikur të ishim të gjithë ne. PAkkush u emocionua, u indinjua, shkroi, bërtiti, u intervistua për Luisin 18 vjeçar dhe sipërmarrjen titanike të rindërtimit të jetës së tij.
Ata që pretendojnë shumë gjëra që Luiz Ejlli nga shtëpia e Big Brother Vip as ka ndërmend t’ua ofrojë, mjafton ta kthejnë kokën nga dritare të tjera të jetës në Shqipëri. Nuk po flas për Ermonela Jahon dhe çmimin e saj më të fundit që e vlerëson si ndër sopranot më të mira në botë, as për profesoren Evis Sala, Drejtoreshë e Radiodiagnostikimit në Spitalin e mirënjohur Gemelli në Romë, nuk po përmend edhe aktorët e talentuar të teatrit dhe të operas që po sjellin pa pushim në skenë super pjesë që si Tirana dhe rrethet i duartrokasin, apo të rinj e të reja që bëjnë më të mirën e tyre nëpër shkolla, universitete në Shqipëri e në botë, apo ata që përditë e zbukurojnë vendin tonë me bujtinat e tyre, propozimet në agriturizëm, kulinari, alpinizëm… me shembujt e tyre të mirë mediat, televizionet, janë plot. Por le ta themi të vërtetën, për shembujt e mirë, pakkush e harxhon një fjalë, pakkush merr mundimin të shkruajë, të japë një deklaratë, ta urojë publikisht, të emocionohet e të gëzojë.
Atëherë, pse nuk e pranojmë që Luizi dhe jo Luisi, në të vërtetë, është ai që intereson dhe jemi ne që vendosim për ta parë ose jo një shembull të mirë. E sidimos, për ta promovuar apo jo atë.
❤️
PërgjigjuPo, ashtu është!..Bravo apo Ju lumtë zonja Alba!
Përgjigju