Një ligj i ri i miratuar së fundmi (të mërkurën) në shtetin amerikan të Luizianës, ka rindezur një debat të hershëm mbi rolin e fesë në institucionet publike. Ligji u kërkon shkollave në këtë shtet që të vendosin në çdo klasë “dhjetë urdhërimet e Biblës”, duke e shndërruar Luizianën, në të vetmin shtet që detyron një gjë të tillë. Mbrojtësit e tij thonë se ligji ka jo vetëm rëndësi fetare, por edhe historike, por kundërshtarët thonë se ligji është antikushtetues dhe kanë paralajmëruar se do të ankohen në Gjykatën e Lartë.
Ligji kërkon që “dhjetë urdhërimet e Biblës” të shfaqen në madhësinë e një posteri, me shkronja të mëdha e lehtësisht të lexueshme, duke filluar prej vitit të ardhshëm.
Ligji u miratua nga asambleja e shtetit që dominohet prej republikanëve. Guvernatori i ri konservator, Jeff Landry, i cili zëvendësoi në muajin janar, pas dy mandatesh, guvernatorin demokrat John Bel Edwards, e mbështeti atë.
Grupet e të drejtave të njeriut thonë se do ta sfidojnë ligjin në Gjykatën e Lartë.
"Shumë nga themeluesit e kombit tonë, nuk do të kishin pasur asnjë problem që feja të ishte disi më e pranishme në sistemin tonë të shkollave publike. Nuk është ky problemi. Problemi qëndron tek ajo çka po bën realisht Luiziana. Kjo është një përpjekje për të mbështetur një fe të veçantë, duke mos përfshirë të tjerat, si myslimanët apo hebrenjtë”, thotë Edward Ahmed Mitchell, Avokat për të Drejtat Civile.
Ligji gjithashtu autorizon, por nuk kërkon, shfaqjen e simboleve të tjera në shkollat publike, përfshirë edhe të ashtuquajturën “Marrëveshja Mayflower”, nënshkruar nga pelegrinët në vitin 1620, e që shpesh cilësohet si “Kushtetuta e Parë e Amerikës”.
Mbështetësit thonë se nisma ligjore, nuk është vetëm fetare, por ka edhe rëndësi historike.
"Bota sot padyshim vuan shumë nga mungesa e moralit dhe etikës. Ndaj mendoj se “dhjetë urdhërimet” janë një udhërrëfyes i mirë për një mënyrë jetese bazuar tek morali, në një botë me mesazhe krejt të ndryshme”, thotë pastori Steve Ryan, Drejtor i Shkollës së mesme “Archbishop Shaw”.
Ligji parashikon që për vendosjen e urdhëresave në shkolla, nuk do të përdoren fonde publike, por vendosja e tyre, do të mbulohet nga donacionet.
Edhe shtete të tjera kanë propozuar ligje të ngjashme, mes tyre Teksasi, Oklahoma dhe Jutah. Por asnjëri nuk ka arritur të miratojë ligje të ngjashme, si rezultat i sfidave ligjore.
Betejat ligjore kundër shfaqjes në shkolla publike të dhjetë urdhërimeve nuk janë të reja.
Në vitin 1980, Gjykata e Lartë u shpreh se një ligj i ngjashëm i shtetit të Kentakit binte ndesh me Amendamentin e Parë të Kushtetutës amerikane, që ndalon qeverinë të përcaktojë një fe zyrtare, ose të miratojë ligje që favorizojnë një fe ndaj një tjetre, apo të kufizojë ushtrimin e lirë të saj. Gjykata u shpreh se ligji nuk kishte qëllim laik, por i shërbente një synimi të qartë fetar./ VOA