SHBA - Los Angeles Lakers kanë blinduar një nga yjet më të mëdhenj të NBA-së dhe basketbollit botëror. Luka Donçiç ka nënshkruar një marrëveshje të re tre vjeçare me klubin kalifornian, që do ta mbajë me ekipin deri në vitin 2028, me një kontratë që kap vlerën e 165 milionë dollarëve.
Basketbollisti slloven, pesë herë pjesë e ekipit NBA All-Star dhe një nga lojtarët më të kompletuar në kampionat, e bëri publik lajmin vetë në rrjetet sociale.
“Sapo nënshkrova zgjatjen e kontratës sime me Lakers. Jam i emocionuar të vazhdoj të punoj për të sjellë kampionate në LA dhe për ta bërë krenar popullin e Lakersave”, tha ai.
Donçiç falënderoi klubin dhe tifozët për mbështetjen që ka marrë që nga transferimi i tij në shkurt, kur ai u bashkua me Lakers në një shkëmbim befasues me Anthony Davis.
Menaxheri i Përgjithshëm i Lakers, Rob Pelinka, e cilësoi marrëveshjen si një “moment historik për klubin” dhe vlerësoi mentalitetin fitues të sllovenit.
Statistikat dhe impakti në fushë
Që nga kalimi te Lakers, 26-vjeçari ka qenë lider absolut, me mesatare prej 28.2 pikësh, 8.1 kërcimesh, 7.5 asistimesh dhe 1.6 topa të rikuperuar për ndeshje në 28 paraqitje. Ai ishte gjithashtu pikëshënuesi më i mirë i sezonit 2023–24 me 33.9 pikë për ndeshje, përfshirë një ndeshje ku realizoi 73 pikë, një rekord personal.
Donçiç aktualisht renditet i treti në historinë e NBA për mesatare pikësh në sezonin e rregullt dhe ka arritur 82 “triple-double” gjatë karrierës së tij, duke u renditur i katërti mes lojtarëve aktivë.
Komente
