Real Madrid ka vendosur se Luka Modric nuk do t'i rinovohet kontrata. Nga sezoni i ardhshëm, mesfushori kroat nuk do të mbajë më fanellën e "Galaktikëve" dhe do të jetë i lirë të gjejë një ekip të ri.
Sipas informacioneve të raportuara nga Cadena SER, Modric tanimë është në dijeni të planeve të ardhshme të klubit, i cili vitet e fundit ka rinovuar skuadrën veçanërisht në zonën e mesfushës. Në muajt e fundit, ish-lojtari i Tottenhamit ka luajtur pak, kryesisht gjatë periudhave në të cilat Camavinga dhe Tchoaumeni u lënduan.
Modric as nuk doli në nxehmje në dy ndeshjet e fundit të La Ligas, kundër Almerias dhe Las Palmas. Ancelotti e ka justifikuar zgjedhjen duke bërë shaka.
“Është legjendë, nuk është e drejtë që të dalë në nxehmje dhe nuk hyn në lojë. Mund ta bëj me Arda Gulerin, por jo me të”, tha trajneri. Është e qartë se trajneri italian nuk e konsideron më kroatin titullar. Në 24 paraqitje deri më tani në të gjitha garat, vetëm në 14 raste është përdorur nga fillimi dhe në dy raste ka luajtur të gjithë ndeshjen.
Modric, në moshën 38-vjeçare do të duhet të marrë një vendim për të ardhmen. Ai kishte oferta nga Arabia Saudite, të cilat i refuzoi dhe gjithçka sugjeron se ai do të vazhdojë të luajë.
Ai do të jetë ende kapiten i kombëtares kroate në Euro 2024, më pas do të jetë koha për të nisur një aventurë të re, pas 12 sezonesh në Real Madrid, i cili investoi 42 milionë euro për ta blerë nga Tottenham. Së bashku me Ramos, Ronaldo, Marcelo, Benzema, Kroos dhe Casemiro ai shënoi një epokë, duke fituar pesë Champions League dhe trofe të tjerë të ndryshëm, si dhe padyshim Topin e Artë 2018.