Alexander Lukashenko

Bota

Lukashenka urdhëron mbylljen e kufirit Bjellorusi-Ukrainë

3 Korrik 2021, 22:59| Përditesimi: 3 Korrik 2021, 23:01

  • Share

Alexander Lukashenko, sunduesi autoritar i Bjellorusisë, tha se ka urdhëruar mbylljen e plotë të kufirit me Ukrainën, me pretendimet se nga vendi fqinj po hyn një sasi e madhe armësh.

Njoftimi u bë përmes medias shtetërore, më 2 korrik. Lukashenka nuk i vërtetoi me asnjë fakt pretendimet e tij. Regjimi i tij po përballet me presion ndërkombëtar për shtypjen e opozitës dhe protestuesve, pas rezultateve të kundërshtuara të zgjedhjeve presidenciale të mbajtura në gusht të vitit 2020.

Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera kanë vendosur sanksione ndaj entiteteve bjelloruse dhe rrethit të ngushtë të Lukashenkos për dhunën ndaj aktivistëve pro-demokracisë dhe politikanëve të opozitës. Rezultatet e zgjedhjeve e nxorën fitues Lukashenkon, por opozita thotë se zgjedhjet ishin të manipuluara dhe Perëndimi ka refuzuar të njohë rezultatet zyrtare si dhe nuk e konsideron Lukashenkon si udhëheqësin legjitim të vendit.

Lukashenko gjithashtu pretendoi se disa “qeliza të fjetura terroriste” të lidhura me Gjermaninë, Shtetet e Bashkuara, Lituaninë, Poloninë dhe Ukrainën janë ekspozuar në Bjellorusi, sipas agjencisë së lajmeve BelTA. Vendet e përmendura nga Lukashenko ende nuk i kanë komentuar deklaratat e tij.

Më herët, autoritetet lituaneze thanë se migrantët vazhdojnë të arrijnë nga Bjellorusia. Shërbimi i Sigurisë së Kufirit Shtetëror tha përmes një deklarate se 150 emigrantë të paligjshëm ishin zënë derisa po përpiqeshin të kalonin në mënyrë të paligjshme kufirin Bjellorusi-Lituani. Që nga janari, numri i përgjithshëm i emigrantëve të paligjshëm, të cilët hynë ilegalisht në Lituani nga Bjellorusia është 822, shtoi deklarata. Lituania ka kërkuar ndihmën e agjencisë evropiane për kufijt, Frontex, për shkak të fluksit të migrantëve.

Lituania ka qenë një nga vendet më kritike ndaj Lukashenkss. Shteti baltik i ka ofruar strehë, Svyatlana Tsikhanouskaya, për të cilën mbështetësit thonë se ishte fituesja e vërtetë e zgjedhjeve në Bjellorusi./REL

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?