Sociale

Luleshtrydhet me pesticide/ Resuli për Report Tv: Situatë alarmante, produkti shitet pa dalë rezultatet e analizave! Të ndryshohet ligji

5 Prill, 17:40| Përditesimi: 5 Prill, 18:09

  • Share

Presidenti i Urdhrit Veterinar, Ervin Resuli i ftuar në Report Tv flet për luleshtrydhet me pesticide që u shitën në tregun shqiptar, të importuara nga Greqia. Resuli ngre alarmin për sigurinë ushqimore duke thënë se produkte të tilla po rrezikojnë shëndetin e konsumatorëve. Në një intervistë për Report Tv, Resuli thotë se situata po bëhet alarmante, pasi në momentin kur konstatohet produkti me pesticide, ai është shpërndarë në tre dhe blerë nga konsumatorët.

“Referuar 2024 dhe rasteve të fundit, dhjetor rasti i mandarinës, salomonela me filetot e pulës, tregojnë një paaftësi të Ministrisë së Bujqësisë që është autoriteti përgjegjës që me drejtoritë e saj duhet të ndërhyjë për të bllokuar dhe garantuar sigurinë ushqimore në vend. Nuk e di pse ka një lloj humbje të vëmendjes apo lëshim të situatës, për arsye që kanë rrezikuar rëndë edhe shëndetin e konsumatorit. Janë produktet që vijnë nga jashtë si fileto e pulës, apo luleshtrydhet. Ajo që e bën më alarmante situatën është se autoritet përgjegjëse gjatë momentit të daljes së analizave apo konstatimit të problemeve, rezulton se ngarkesat me produkte janë konsumuar nga konsumatorë”, tha Resuli.

Me 4 prill AKU njoftoi se një ngarkesë prej 52 kg luleshtrydhe e kontaminuar me pesticide e ardhur nga Greqia u shpërnda në tregun vendas. Po në njoftim thuhej se nga 17 shkurti u bllokuan hyrjet e luleshtrydheve nga Greqia por në fakt vetëm në muajin Mars deri më 1 prill u konstatuan nga sistemi evropian RASFF tre ngarkesa luleshtrydhe me pesticide që kishin hyrë në Shqipëri po nga Greqia. Këtu ngrihet një pikëpyetje se si u lejuan importuesit t'a fusnin luleshtrydhen e kontaminuar në treg?

Resuli shpjegon se kjo situatë ndodh për shkak të një urdhri të ndryshuar më 20 janar 2020, kohë kur ministria e Bujqësisë drejtohej nga Bledi Çuçi. Në bazë të këtij urdhri, tashmë nuk është më kusht që ngarkesat e produkteve që vijnë nga vende të tjera të ndalohen në pikat doganore deri në momentin e daljes së analizave kur merren monstra. Por, edhe pse merren monstra, Resuli thotë se kjo nuk e ndalon subjektin që ta shpërndajë në treg produktin dhe kështu rrezikohet edhe shëndeti i konsumatorëve pasi produkti hidhet në treg ende pa dalë rezultatet e analizave.

“S’po flasim për një shpërthim momenti, por sistemi në mënyrë graduale është çmontuar në mënyrë të tillë, në të cilën ne sot jemi të ekspozuar ndaj shumë agjentëve sa i përket rëndësisë së shëndeti të konsumatorit. Pasi ne i kemi konsumuar ato, ne na del analiza. Është një urdhër i datës 20 janar 2020, që në fakt ka ndryshuar politikat që ka pasur ministria e Bujqësisë sa i përket mbrojtjes së shëndetit të konsumatorit. Në kohën e ish ministrit Çuçi, është ndryshuar urdhri i cili e kishte kusht për të gjitha hyrjet në pikat doganore monstrohej produkti dhe nuk hidhej në treg deri në momentin e daljes së analizës, pasi dilte e përshtatshme, ky produkt hidhej në treg. Ky urdhër u ndërrua në vitin 2020, i cili e ka ekspozuar sot konsumatorin ndaj ngarkesave të ndryshme që vijnë nga jashtë. Sot i marrim analizat pasi kemi konsumuar produktin. Ai urdhër nuk e ndalon subjektin që është marrë monstër mos të hedhë në zinxhirin ushqimor produktin që ka importuar. Rasti i luleshtrydhes tregoi qartë se pas daljes së analizave nga ISUF, kishte rezultuar pasi inspektorët kishin shkuar në subjekt, kishte rezultuar që këto produkte ishin konsumuar”, thekson Resuli.

Viti 2025 ka nisur me një sërë rastesh që kanë ngritur alarmin për sigurinë ushqimore që nga rasti me mandarinat shqiptare me pesticide të rrezikshme që u kthyen në Shqipëri por ndryshe nga sa u tha se u asgjësuan në fakt kishin dalë në treg.

Më pas ishte rasti i peshkut të identifikuar me parazit, që pasoi me ngarkesën e madhe të mishit me Salmonel që erdhi nga Brazili, dhe u shit në tregun vendas një pjesë. Ndërsa përgjatë muajit shkurt, mars dhe ditët e para të prillit ngarkesat me luleshtrydhe me pesticide janë kthyer në rrezik për konsumatorët pasi janë me pesticide.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A e keni të qartë se si duhet të votoni më 11 maj?