E ka zënë “turpi”, dhe ka deklaruar në një takim me gratë se “ai i trembet debatit me mua”. Kryetari partisë Demokratike Lulzim Basha, u shpreh se kryeministri Edi Rama “ka frikë nga përballja në debat me mua, ai bën trimin në ekran duke sharë këdo, ku preferncë ka opozitën ndërsa shmang llogaridhënien për çfarë ka bërë në 8 vite qeverisje”.
Në takimin me disa gra matjane madje kryetari opozitës aktuale, u shpreh se “Rama shmang debatin, që ju e dini, këtu në Mat keni disa fjalë të urta për trimërinë e burrave, zgjuarsinë pas kuvendit, dhe trimërinë pas lufte”. Kush e dëgjon për herën e parë Lulzimin, e merr seriozisht, dhe duket sikur e kupton ku i “rreh çekani”. Por kur kalojnë muaj dhe vite dhe mësohet me atë si politikan, e kupton se asgjë, nuk ka fjalë të mbajtur. Kurse lidhur me këtë të fundit, arrin deri atje, sa të thotë “unë e kam ftuar në debat, ai ka frikë”.
O Lulzim, o kryetari i opozitës, o kryetari i një partie që ka bashkëjetuar me molotovin, i një partie që veç Rrugës së Kombit (ku ti akoma nuk ke mbyllur dosjen në Prokurori) dhe tunelit të Krrabës, asgjë nuk bëre sa ishe 8 vjet në qeverisje. Ti kërkon debat, dhe Rama trembet nga ti ? As Sali Berisha nuk e beson këtë o Lulzim. Po ç’do të debatosh ti me Edi Ramën, për çfarë, për cilin, përse ? Për investimet, për reformat, për Vettingun, për rindërtimin, për vaksinimin, për drejtësinë e re apo të vjetër ? Përse do të debatosh ti me Ramën, për listat e kandidatëve “me emra të rinj” që u servire demokratikasve apo për “babain politik” që nuk i përmend as emrin kur vjen momenti ti thuash shqiptarëve të vërtetën. Pra, për ç’debat e ke fjalën, kur baza e partisë tënde ka 5 vjet që kërkon debat me ty, ka 5 vjet që kërkon shpjegime nga ty, ka 5 vjet që kërkon zgjedhje të reja në parti, ka 5 vjet që kërkon emra të rinj dhe jo huliganë dhe milionerë për deputetë, etj..etj.. Pra përse e kërkon debatin me Edi Ramën, kur kryeministri e ka deklaruar se “debatin e ka shqiptarët, dhe borxh debatin ua ka vetëm atyre”.
Dhe nuk ka si të ndodhë ndryshe, sepse Edi Rama nuk ka komplekse dhe “zvarrina” lidhur me problemet me bazën e Partisë Socialiste siç ke ti, nuk ka ndonjë “merak” me shqiptarët dhe drejtësinë siç ke ti, me dosjet akoma të pambyllura në Prokurori , por 24 orë non-stop, po u tregon atyre ç’ka bërë deri sot, dhe ç’do të bëjë pas 25 Prillit. Dënglat me “debat dhe trima para debatit”, kanë kohë që nuk i shkojnë politikës sotme Lulzim.
Në debat vihet me bilance, ide, programe, projekte, ekip fitues. Edi Rama i ka të gjitha këto, kurse ty, të mungojnë të gjitha. E vetmja gjë, që ke ti veçmas nga Edi Rama, është mundësia e madhe për të gënjyer ditën me diell. Dhe pa dridhje qerpiku fare, duke u premtuar grave dhe burrave që mbledh dhe atyre që hiqen si “të rinj të lodhur nga qeverisja”, parajsën kur ti të marrësh pushtetin. Atëhere, për ç’debat e ke fjalën Lulzim, apo të “qan zemra” për ndonjë 17 Maj të dytë….. harroje se do të ndodhë.