Shëndeti

Lulja e Basanit: Bima mrekulli që gjendet kudo – Ja si ndihmon Shëndetin!

16 Qershor, 16:19| Përditesimi: 16 Qershor, 16:30

  • Share

Me siguri e keni parë diku afër shtëpisë, në rrugë apo në fusha, por a e keni ditur që kjo lule mund të ndihmojë në kurimin e një sërë sëmundjesh? Po flasim për Lulen e Basanit, një bimë që rritet kudo në Shqipëri dhe që përdoret prej shekujsh në mjekësinë popullore për trajtimin e problemeve me stomakun, mëlçinë, tretjen, dhe më shumë... Në 'Bima dhe Shëndeti' në Rreze Dielli në Report Tv, me specialistin e bimëve mjekësore Ylli Merja tregojmë vlerat e jashtëzakonshme e benefitet shëndetësore të lules së basanit, dhe si ta përdorim në mënyrë të sigurtë dhe efektive për sëmundje të ndryshme.

Lule basani është bimë barishtore shumëvjeçare e familjes Hypericaceae. Në vendin tonë ndeshet e zakonshme në zonat e ulëta. Periudha që mblidhet lule basani është në fund të majit dhe në fillim të qershorit. Bima mund të përdoret e thatë, ose e njomë, dhe gjithashtu si vaj.

“Lule basani është një bimë çudibërëse, pasi jep efekte në të gjithë organizmin. Ka një përdorim shumë të gjerë dhe ndikon si një qetësues i sistemit nervor, ndihmon depresionin, acarimin e nervave, ankthin, pagjumësinë, dhe urinimin e pavullnetshëm në fëmijëri. Eshtë një çaj tepër efektiv për inflamacionet e traktit gastrointestinal (gastrit, diarre, kolit ulçerativ, përfshirë hemorroidet) dhe dhimbje nevralgjike si shiatiku. Së jashtmi përdoret vaji i basanit për plagë, djegie, ulçera, mavijosje, hemorroide dhe dhimbje reumatike”, thotë specialisti i bimëve mjekësore Ylli Merja.

Lulja e Basanit është e pasur me vajra esenciale, acide organike, vitamina C, A, B dhe minerale si kalium, kalcium, magnez, hekur, zink, fosfor, baker. Përbërësit kimik të kësaj bime japin një veprim të menjëhershëm në organizëm.

- Hipericina: antidepresiv; antiviral; rrit nivelin e neurotransmetuesve në tru si serotoninë e dopaminë

- Hiperforina: antidepresive e fuqishme; antibakteriale; antiinflamatore; aktivizon receptorët që janë të përfshirë në rregullimin e humorit; nxit prodhimin e melatoninës, rregullon gjumin

- Flavonoidet: antioksidantë, stabilizojnë membranozën e qelizave, kapin radikalet e lira; bllokojnë enzimat që prodhojnë substanca inflamatore

- Taninet: veprim astrigjent; antimikrobial; mbyll plagë, rigjeneron lëkurën dhe indet

- Acidi klorogjenik dhe kafeik nxit dobësimin dhe tretjen

“Duhet patur pak kujdes, pasi lulja e basanit ndërvepron me shumë barna si antidepresivët, antikoagulantët, kontraceptivët, antiretroviralet, imunosupresantët. Gjithashtu fotosensibiliteti mund të shkaktojë skuqje ose djegie në kontakt me diellin”, thekson Merja.

Përdorimet e Lules së Basanit në mjekësinë popullore janë njohur që në kohët e lashta, duke zënë një vend të rëndësishëm në trajtimin e një sërë problematikash shëndetësore.

- Për rigjenerim të mëlçisë, stomak dhe zorrë pihen 2-3 gota çaj në ditë

- Kundër infeksioneve ose viruseve pihen 2-3 gota çaj në ditë

- Kundër plagëve, gërvishtjeve në lëkurë apo djegie konsumohet një çaj me lule basani kombinuar me pak bishtamith, livando dhe kumak

- Ekstraktet alkolike: në 100 ml etanol hedhim 20 gr lule basani, 10 gr bishtamith, 10 gr livando. Pihen 3 x 3 ml në ditë në 100 ml ujë

-Vaji i lules së basanit: Në një kavanoz 1 litër hedhim lule basani të pastruar mirë. Mbulojmë lulet me vaj ulliri dhe e lëmë për 30 ditë, përdoren rrezet e diellit si bashkëpunëtore dhe jo si katalizatore. Me vajin lyhen plagë, prerje, djegie të lëkurës, etj. Për dhimbje muskulare, reumatike mund të përdoret 2 javë dhe 1 javë pushim. Pihet 1-2 lugë çaji në ditë para buke.

"Përdorimi i vajit të lule basanit qetëson dhimbjet e stomakut dhe të zorrëve. Rekomandohet të përdoret nga persona të cilët kanë probleme me ulçerën në stomak. Vaji i basanit përmirëson funksionimin e aparatit tretës, redukton inflamacionin në zorrë duke ndikuar në mënyrë indirekte në qetësimin e venave hemorroidale. Gjithashtu konsumimi i vajit të basanit lehtëson simptomat e ankthit", nënvizon Merja.

Vaji i basanit rekomandohet të përdoret në rastet e acarimit të lëkurës tek fëmijët ose në rastet e djegies apo mbylljes së plagëve në lëkurë tek të rriturit. 

 

MC/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Kë mbështesni në konfliktin mes Izraelit dhe Iranit?