Ditët e nxehta i dërgojnë kryesisht drejt zonave të freskëta pushuesit gjatë fundjavave. Periudha e fillimit të sezonit veror të jep mundësinë të shëtisësh në livadhet e Novosejt ku zambaku apo lulja e poetit është në kulmin e lulëzimit të saj. Ky është destinacioni ynë për sot!
Ndalesën e parë e bëjmë pranë shtegut të ujëvarës së Topojanit. Këtu gjendet edhe Ura e Dashnisë siç e kanë emërtuar vetë banorët, ku udhëtarët qëndrojnë për t’u freskuar apo për të shijuar peisazhin e qetë.
Lëvizja e lirë gjatë sezonit turistik në të dy anët e kufirit mes Shqipërisë dhe Kosovës, ka sjellë një frymë të re në jetën e banorëve lokalë. Këtë e vërejmë gjatë rrugëtimit tonë. Kufirin që dikur banorët këtyre zonave e shihnin si mur ndarës, sot është një udhë lidhëse.
Një mundësi për të shkuar në kafe te fqinji, për të parë një treg lokal, apo për të bërë një shëtitje të gjatë me biçikletë në një peizazh që dikur konsiderohej "jashtë shtetit". Pikërisht këtë po bënin dy të rinj nga Dragashi, të komunitetit boshnjak. Imad dhe shoku i tij kanë kthyer biçikletën në mënyrë jetese. Pothuaj çdo ditë përshkojnë disa kilometra – nga Dragashi deri në Novosej, përtej kufirit. Një itinerar i thjeshtë për shumëkënd, por me domethënie të thellë për këta të rinj që zgjedhin të shohin përtej tabelave shtetërore dhe vijave të hartës.
“Dolëm për një shëtitje sportive, për të shijuar bukuritë natyrore të Shishtavecit dhe për të njohur njerëzit. Në thelb, jemi të njëjtë – vetëm gjuha dhe kufijtë na ndajnë. Më parë kemi shëtitur nëpër Kosovë, por tani kemi vendosur të ndryshojmë destinacionin – po vizitojmë Shqipërinë dhe planifikojmë të shkojmë edhe në Maqedoni. Para kësaj, do të vizitojmë Brodin dhe Borjen. Për momentin po vizitojmë vende më të afërta, ndërsa më vonë do të shkojmë në Tiranë, në Kukës... Është ende herët për udhëtime më të gjata. Rruga është e mirë jo ideale për biçikletë, por e përshtatshme për makinë dhe për ecje. Natyra është shumë e bukur, ambienti i këndshëm, pamja mahnitëse”tregon njëri prej djemve.
Ata nuk vijnë për ndonjë qëllim të madh, nuk kanë çantë shpine të rëndë, as kamera profesionale. Vijnë për të pirë një kafe, për të biseduar me vendasit, për të soditur malet. Janë djem të thjeshtë, por me një ndjeshmëri të rrallë ndaj vendit, hapësirës, lirisë. Për ta, udhëtimi nuk është vetëm stërvitje është një formë e re e jetesës rurale, ku vendi nuk matet më me kilometra, por me ndjesinë e lirisë. Nga Brodi në Dragash, nga Dragashi në Novosej, nga Shqipëria në Kosovë dhe prapë pas jo si turistë, por si qytetarë të një hapësire të përbashkët që po rritet ngadalë, pa bujë, me pedale.
“Shëtisim për të ruajtur formën fizike. Ngasim biçikletat – kjo na ndihmon të qëndrojmë në kondicion. Shkojmë shpesh me biçikletë në Brod, në Dragash. Kam ardhur këtu edhe më parë, e njoh mirë këtë vend.Shëtisim, ndalemi për të pirë kafe në restorant, relaksohemi. Këtu është vërtet bukur – panorama e shkëlqyer, afërsia me Shishtavecin, ushqimi i mirë.Jemi studentë në Prizren, në Fakultetin Edukativ, në programin në gjuhën boshnjake.Kohët e fundit kemi nisur këto shëtitje me biçikleta. Planifikojmë të vizitojmë Shqipërinë dhe Maqedoninë.Të gjitha këto vende janë të bukura – si Shqipëria, ashtu edhe Kosova. Njerëzit janë mikpritës dhe të dashur. Na presin me buzëqeshje dhe dëshirë për të na nderuar.” shprehet 21 vjeçari Imad Tairovci.
Kur dielli fillon të zbehet dhe rruga bëhet më e qetë, ata nisen sërish drejt Dragashit. Në fund, nuk mbetet shumë për të thënë – vetëm fryma e një udhëtimi që përsëritet çdo ditë, me të njëjtën dëshirë dhe me të njëjtën liri që ende ndjehet e re.
Ne vazhdojmë udhëtimin tonë drejt Lules së Poetit, por rrugës vëmendjen na e tërheq një çift në moshë…
Në një livadh të gjelbër në Novosej të Shishtavecit, mes aromës së verës dhe qetësisë që sjell largësia nga qyteti, një burrë ngre me kujdes një dron në qiell. E ndjek me sy të qetë, sikur po shikon një shpend që nis fluturimin. Ai është Hysri Shasha, 71 vjeç, nga Shtimja e Kosovës. Një pensionist që nuk e ka ndalur kurrë dashurinë për natyrën, udhëtimin dhe fotografinë. Në krah të tij është bashkëshortja Resmije, 66 vjeçe. Ajo është pjesë e çdo aventure që ai ndërmerr, një shoqëruese, bashkëudhëtare dhe mbështetëse e pandashme, që nga udhëtimet në bjeshkë deri tek organizimi i pajisjeve të tij fotografike. Hysriu ka një histori që ngjall admirim. Ish-mësues i biologjisë dhe kimisë, ai kaloi dekada duke u mësuar nxënësve dashurinë për jetën dhe natyrën. Por pas daljes në pension, ai nuk vendosi të pushojë, përkundrazi, vendosi të vazhdojë të mësojë, këtë herë përmes një aparati fotografik dhe një droni. Prej më shumë se katër dekadash, ai e ka kthyer fotografinë në mënyrë jetese. Në kuadër të fushatës “Shqipëria ime”, Hysriu ka realizuar mbi 3,000 fotografi në 15 vitet e fundit,duke dokumentuar me përkushtim peizazhe shqiptare nga veriu në jug, që shpeshherë mbeten të panjohura për publikun e gjerë.
Por teknologjia solli një tjetër kthesë. Para pesë vitesh, i biri i dhuroi një dron për ditëlindje. Për shumëkënd, një pajisje teknologjike e re në moshën 71-vjeçare do të ishte sfidë. Për Hysriun, ishte një mundësi për t’i dhënë krahë pasionit të tij.Ai mësoi shpejt përdorimin e dronit dhe nisi të dokumentonte Shqipërinë nga ajri. Pamjet që sjell janë më shumë sesa video turistike, janë një rrëfim dashurie për natyrën, një arkiv i gjallë që flet për thellësinë e peizazheve dhe shpirtin e vendeve që viziton. Sot zotëron tre drone edhe pse një prej tyre e humbi në Theth, pranë ujëvarave, ndërsa xhironte një nga videot më të dashura për të. “Nuk më vinte keq për dronin, por për pamjet që humba,” rrëfen ai me një buzëqeshje të qetë.
Video dhe fotot e tij publikohen rregullisht në kanalin personal në YouTube, ku ndjekësit e tij mund të udhëtojnë bashkë me të nëpër të gjitha skajet e Shqipërisë e Kosovës. Ai nuk kërkon famë, por dëshiron që të tjerët të shohin atë që ai ka parë: një vend të bukur që shpesh nuk e njohim sa duhet. Në këtë rrugëtim, nuk ka qenë kurrë vetëm. Resmija është gjithmonë aty me kujdesin e saj, përgatitjet, mbështetjen, dhe ndoshta mbi të gjitha, me besimin e palëkundur në pasionin e burrit të saj. Historia e Hysri Shashës është më shumë sesa një tregim për një pasionant të fotografisë. Është një dëshmi se jeta aktive, kur ushqehet nga dashuria dhe kurioziteti, nuk ka kufij moshe. Ai na kujton se ka gjithmonë kohë për të nisur një kapitull të ri qoftë edhe nga qielli.
Qëllimi i këtij udhëtimi për çiftin Shasha ishte filmimi i Lules së Poetit në livadhet e Novosej. Hysriu këmbëngul që atë të cilën nuk ia kap dot syri, ta sjellë një prej dronave të tij. Dhe pas disa përpjekjeve ia del.
Ndryshe nga bashkëshortët Shasha ne jemi përgatitur për rrugën e vështirë pasi kemi zgjedhur një mjet të lartë për të përballuar gropat e shumta.
Pasi e kemi përshkuar për afro 40 min, e njëjta kohë na duhet për të mbrritur në luginën e mbushur me lulen e poetit, por këtë herë në këmbë pasi nuk ka rrugë makine.
Me një aromë të veçantë dhe pamje delikate, lulja sjell jo vetëm bukuri natyrore, por edhe emocione tek banorët dhe vizitorët. Sipas Agim Nokës, kryetar i Shoqatës së Pyjeve dhe Kullotave, emri “Lulja e Poetit” u vendos nga biologu tashmë i ndjerë Besnik Hallaçi. Ky emërtim lidhet me hijeshinë dhe ndjeshmërinë që lulja përcjell.
“E njohim edhe si lulja krenare, për mënyrën unike se si i mban petalet e kthyer pas, ndryshe nga çdo lule tjetër,” – shprehet Noka. Megjithëse është një simbol i natyrës shqiptare, lulja po përballet me rrezikun e rrallimit. Noka thekson se mungesa e sistemit vaditës dhe ndërhyrjet e pakontrolluara nga vizitorët po ndikojnë negativisht.
“Vizitorët shpesh e shkelin pa dashje. Duhet ndërhyrje dhe investim në ndërtimin e shtigjeve prej druri për të mbrojtur këtë pasuri,” apelon ai.
Për shumë banorë të zonës, lulja nuk është thjesht një element i peizazhit, por një pjesë e memories dhe identitetit të tyre. Ndriçim Haxhiu, i rritur në këto livadhe, e viziton çdo vit vendlindjen për të parë çeljen e lules pasi sipas tij është një nga momentet më të bukura të fundit të pranverës dhe fillimit të verës në këto male. Ata që e vizitojnë luginën e Novosej, e marrin gjithmonë me vete këtë përvojë.
Komente
