“Në livadhet e Novosejit rritet një nga lulet e rralla dhe unike, lulja e poetit, rritet në lartësinë 1400 m mbi nivelin e detit. Kjo që po shihni nuk është dëborë, por tapeti i bardhë i lules së poetit”.
Në fillim të qershorit, në zemër të Parkut Natyror Korab-Koritnikut, lulëzon “Lulja e Poetit”. E bardhë, delikate dhe me aromë të veçantë, ajo zbukuron livadhet alpine të Novosejit në Kukës dhe përbën një pasuri të rrallë të biodiversitetit.
Por kjo bukuri e rrallë është në rrezik! Specialisti Agim Noka sinjalizon për rrallimin e ndjeshëm të saj, si pasojë e ndryshimeve klimatike, mungesës së sistemit vaditës, por mbi të gjitha të sjelljes së shkujdesur të vizitorëve. Ata jo vetëm shkelin lulet por lënë pas pirgje me mbeturina në livadhe.
Dëmtimi i saj është humbje jo vetem për natyrën dhe për trashëgiminë e zones, thotë Ndriçim Haxhiu i cili edhe pse është shpërngulur vjen çdo verë në vendlindje.
Për të mbrojtur “Lulen e Poetit”, kërkohen masa konkrete nga Ministria e Mjedisit dhe Turizmit, siç është shpallja e livadheve të Novosejit, zonë e mbrojtur natyrore. Po kështu specialistët sugjerojnë, përfshirjen e “Lules së Poetit” në listën e specieve me status të mbrojtur.
Komente
