Siç bëjnë me dije mediat, në vendin tonë do të zhvillohet një emision i programit « BBC World Questions » nën moderimin e gazetarit Jonny Dymond. Njoftimi për këtë edicion ka qenë edhe në faqet e ndryshme të rrjeteve sociale me tituj nga më të dalluarit. Kjo vëmendje për t’u marrë me Shqipërinë apo për ta pasur vendin tonë si objekt analize apo investigimi meriton të përshëndetet sepse, më në fund, edhe Shqipëria llogaritet si pjesë e familjes së madhe të interesave apo vëmendjes që kanë mediat e mëdha.
Mirëpo, që në fillim, duket se diçka ka nisur keq. Siç raportojnë mediat në vend, emisioni është menduar që të jetë në formën e një bisede që do ta monitorojë gazetari që përmenda me një panel ku do të jenë katër të ftuar dhe në sallë do të ketë edhe dëgjues që mund të pyesin panelin. Mirëpo, qysh tani, gazetarët shqiptarë që janë njohur me këtë transmetim që do të realizohet në ditët e ardhshme, i kanë drejtuar disa pyetje gazetarit anglez të BBC-së, z. Dymond, dhe, mes tyre, ka tërhequr vëmendjen sidomos një çështje.
Gazetari anglez është pyetur se përse në panel është thirrur Lulzim Basha dhe përgjigjja e tij të lë pa frymë. Të kuptohemi, është në të drejtën e ti që ai të ftojë cilin të dojë, por të na thotë ne se cili është Lulzim Basha, këtu më duket se e tepron. Ai thotë se « Lulzim Basha është një personalitet i madh kombëtar e ndërkombëtar ».
Tani, për hir të së vërtetës, ne, shqiptarët jemi mësuar me përçmimin, mospërfilljen, indiferencën, klishetë, stereotipitë dhe lloj-lloj cenesh të tjera që mediat europiane përdorin kur trajtojnë ndonjë çështje shqiptare. Por, të arrish deri këtu, pra që të shpallësh pa t’u dridhur qerpiku një politikan të dështuar, mediokër, pa asnjë kontribut në politikën e vendit, një ish-jurist që mblidhte të dhëna për Gjykatën e Hagës pas luftës në Kosovë, një shqiptar që deri tani e ka fshehur arsimimin e tij dhe askush nuk e di në ka një diplomë apo jo, ta shpallësh atë si personalitet të lartë kombëtar e ndërkombëtar, kjo i kalon përmasat e ironisë dhe kthehet në idiotësi.
Gazetari i BBC-së, në këtë rast, shfaqet si një injorant funksional në kuptimin që ose nuk e njehe fare Lulzim Bashën ose, sipas tij, për të qenë një shqiptar personalitet i madh kombëtar e ndërkombëtar mjafton që ta njohin si emër në Shqipëri dhe mjafton që ky gazetari i BBC-së ta identifikojë si politikan. Lulzim Basha nuk ka shkruar asnjë resht në jetën e tij.
Është politikani klasik që karrierën e tij e ka nisur si dhëndërr politik nga hiçi. Gjatë viteve në krye të PD-së nuk la asnjë shenjë në jetën e këtij vendi. Si ministër transporti hyri në histori me megakorrupsionin e « Rrugës së Kombit » për të cilën u hap edhe një çështje gjyqësore të cilën ai e mbylli me procedurë. Si ministër i jashtëm mbahet mend për firmosjen e marrëveshjes së detit që i falte Greqisë pjesë nga hapësira detare shqiptare- një marrëveshje që tani është hedhur poshtë dhe si ministër i brendshëm mbahet mend se më 21 janar 2011, me ose pa urdhrin e tij, u qëllua mbi turmën e protestuesve dhe u vranë katër shqiptarë në Bulevardin « Dëshmorët e Kombit ».
Në politikën e jashtme jo vetëm që nuk ka asnjë shenjë, por, për disa kohë, u përfol se partia që ai drejtonte u financua nga një fondacion rus. Siç po del tani në fund ai po akuzohet gjithnjë e më shumë se edhe përplasjen dhe përjashtimin e Berishës nga PD më 9 shtator 2021 e ka realizuar në marrëveshje me Berishën sepse gjatë gjithë kësaj kohe nuk bëri asnjë përpjekje ta riformatonte PD-në, por luajti në mënyrë të tillë që Berisha të rimerrte përsëri PD-në për interesa krejtësisht personale. Kështu Basha njihet edhe si njeriu i fundit që varrosi opozitarizmin në Shqipëri.
Tani, ky gazetari që vjen nga Anglia ndoshta mendon së këtu në Shqipëri jetojnë ata shqiptarët e trembur në shtetin e tij i cili në shumë raste është bërë gogol dhe në disa raste të tjera ka treguar edhe shenja raciste ndaj nesh. Nëse ky mendon që vjen këtu e do të na tregojë se cili është personalitet e sa vlen njëri e tjetri ai jo vetëm që gabohet por sipërmarrja e tij është qesharake dhe shqiptarët kanë filluar që tani të tallen me këtë klloun mediatik që kujton se ky vend mund të trajtohet si ato fiset indigjene që gjetën anglezët kur shkuan në Amerikë. Është mesa duket rasti për ta injoruar këtë sipërmarrje të këtij injoranti funksional dhe për t’ia kthyer mendjehtësisë me të cilën ai e trajton këtë vend me një përçmim të përmbajtur.
HAHAHAA Basha politikan e shquar kombetar dhe nderkombetar....Po nderkombetar pse?? apo ka marre pjese ne PPE dhe ne mbledhjet e KE? kaq mjafton :) :) :( :(
PërgjigjuFiks fare, sipas BBC-së Basha qenka big in japan se këtu një humbo që si di sa bëjnë dy dhe dy është.
Përgjigju