Lulzim Basha dhe Sali Berisha

Lulzim Basha po kërkon përsëri kompromis me Sali Berishën

13 Mars 2022, 10:58| Përditesimi: 17 Mars 2022, 16:31

  • Share

Kriza që ka rënë në Partinë Demokratike ngjason me luftën në Ukrainë, asnjë nuk e di sa kjo agoni do të zgjasë! Një mbledhje disa orëshe e grupit parlamentar u shoqërua me thyerje gotash dhe tension, por rezultoi në një deklaratë me hedhjen e disa hapava pas! Se çfarë do të thotë kjo, asnjë se kupton! Edhe pse deputetët i kërkuan pothuajse një zëri që të largohej, ai që ka studiuar dhe jetuar në Perëndim, hesht! Lulzim Basha pas mbledhjes në asnjë moment nuk e shqiptoi fjalën dorëheqje. Sa keqardhje të shikosh një politikan të gjeneratës së re, i pa rritur në komunizëm madje i rritur e shkolluar në Perëndim, të mos pranojë të largohet, duke kërkuar një shans të ri pa paraqitur asnjë vizion, asnjë plan për ta ringritur PD!

Është e vështirë të dalësh në pension në një moshë kaq të re sa Lulzim Basha, por politika, si çdo profesion tjetër matet me rezultate, shifrat flasin qartë!

Qasja e Lulzim Bashës në gjithë këtë periudhë kohe është një qasje prej amatori politik, gjithmonë me vonesë, i turbullt në mendime dhe teza publike. E përsëri ai nuk do të ikë, e përse ta bëj fundja, shikon përballë ka një Sali Berishë që edhe kur ka ikur e ka pasur mendjen te rikthimi! Shikon Ilir Metën që kur del nga vila në Lalëz është president, kur kalon pragun është kryetar i LSI! Humbjet për këta politikanë nuk kanë rëndësi, vlerë merr vetëm pushteti politik si qëllim, jo politika si shërbim!

Lulzim Basha me këto argumente foshnjarake duket që është një nxënës i shkëlqyer i Sali Berishës. Ky i fundit i ka mësuar atij gjithçka me përjashtim të faktit se si fitohen zgjedhjet! Koha po tregon që të gjithë ja kanë patur me hile të gjithëve. Lulzim Basha e ka kuptuar se ora e tij në PD, pa mbështetjen e doktorit, ka mbaruar. Me një dinakëri foshnjarake ai po i kërkon ish-mentorit të tij politik, atë që nuk kërkohet, dorëheqje nga një post imagjinar, për të justifikuar qëndrimin në krye të PD, sa të harrohet edhe 6 marsi. Lëpirja e llumit 7 mujor derdhur me bollëk, mbetet e vetmja alternativë për shpëtimin politik!

Si mund t'i kërkohet dorëheqje ndaj dikujt që e ka përjashtuar?! Këtë vetëm Basha dhe rrethi i tij i ngushtë mund ta thotë! Konkluzioni është i qartë, Lulzim Basha po kërkon përsëri pakt, qoftë dhe në heshtje me doktorin, për të shpëtuar karrigen, duke i bërë thirrje për tu ulur përsëri në tryezën e bisedimeve. Kjo opozitë e marr peng nga kjo treshe është jo vetëm jashtë realitetit, por i ka humbur qëllimi politik me prevalencë hallet personale, njëri ‘non grata’, tjetri pensionin e parakohshëm, e tjetri biznesin familjar. Kjo është arsyeja pse qytetarët dalin e protestojnë kundër qeverisë, por asnjëherë nuk e mendojnë opozitën e ndarë në 3 parcela si alternativë qeverisëse.

K.T.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • adi: 13/03/2022 11:15

    ore ca kompromisi kwrkon nje humbes kronik. te largohet. ne politike ska kompromis pasi ka gara.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?