Nëse ka një fjalë që mund ta përshkruajë më së miri gjendjen e politikës, drejtësisë, ekonomisë, sportit e gjithçka tjetër në shoqërinë shqiptare, të këtyre tre dekadave të fundit, është korrupsioni.
Vetëm se, këto kohët e fundit, fjalën korrupsion, vetë të akuzuarit e anë zëvendësuar me një fjalë tjetër: konspiracion.
Sipas tyre, ata janë të pastër si argjendi, “me duar akullore”, siç do të shprehej Vangjush Dako, por seç janë ca armiq të huaj e të brendshëm, që iu janë vënë pas me “bukë në trastë” dhe duan t’iu bëjnë gjëmën.
Fjala vjen, ishte qesharake të dëgjojë një president klubi pak ditë më parë, që është simbol i mafies politiko-ekonomiko-sportive në Shqipëri, dhe që me të drejtë është përjashtuar 10 vite nga UEFA, nga garat europiane.
Ai doli e thoshte pa e brerë ndërgjegjia, që ngritën një iluzion dhe ia shkatërruan ëndrrën një qyteti të tërë, se qenka një Eduard Dervishi në Federatën Spanjolle, i cili, bashkë me këtë të fundit, meqë paskan inat Skënderbeun, kanë bindur UEFA-n që të përjashtojë ekipin korçar për 10 vite.
Pra, një konspiracion i madh, në të cilin është përfshirë njëfarë Eduard Dervishi që punon në Federatën Spanjolle, vetë Federata Spanjolle, dhe UEFA.
Se çfarë inati ka Federata Spanjolle dhe UEFA me ekipin korçar, që do ta shkatërrojë, vetëm presidenti i ekipit juglindore e di, që doli e foli për këtë plan të madh ndërkombëtar për të varrosur Skënderbeun, ndërkohë që nuk tha asnjë fjalë, nëse mban përgjegjësi për trukimet e hapura, që ndodhnin nën sytë e të gjithëve.
Por nuk ka faj, se ka nga të mësojë.
Kështu tha edhe Koço Kokëdhima kur i hoqën mandatin e deputetit, që ia bënë amerikanët në bashkëpunim me Edi Ramën, pasi ky ishte një burrë i ndershëm, që do iu tregonte vendin të korruptuarve të politikës shqiptare.
Kështu thotë edhe Ilir Meta me Sali Berishën, që janë edhe “nëna” e denoncimit të një konspiracioni me përmasa ndërkombëtare në Shqipëri, ku janë përfshirë zyrtarë amerikane e të Brukselit, të cilët janë shitur tek ky plaku Soros qe s’po i vjen i s’po e vjen ngordhja dhe duan të marrin peng Shqipërinë, duke mbajtur në pushtet Edi Ramën dhe “Rilindjen”.
Por atyre iu janë bërë barrikadë Ilir Meta me Sali Berishën, dhe ndaj këta duan t’i fusin në burg, sapo të nisë zbatimi i reformës në drejtësi.
Kështu kanë nisur tani të thonë edhe për Ramush Haradinajn, konspiracioni për të cilin është akoma edhe më i madh.
Për gjykimin dhe burgosjen e tij janë përfshirë amerikanë e rusë, francezë e gjermanë, dreq e shejtan, vetëm pse ky i fundit ka vënë një taksë për Serbinë dhe doli kundër ndarjes së Kosovës.
Ndaj tani i janë bërë bashkë të gjithë për ta çuar në burg, në mënyrë që t’i hapet rruga ndarjes së Kosovës, por për fat, ai ka në krah Sali Berishën e Ilir Metën, që janë gati t’i shpallin luftë gjithë botës dhe këtyre të huajve, që duan t’ia “fusin” Haradinajt.
Se të huajt gjithmonë na e kanë pasur me hile dhe të “futur”ne shqiptarëve, që jemi burra të drejtë e të ndershëm, që mendojmë gjithë kohën si të bëjmë ndonjë gjë të mirë për vendin e për njëri-tjetrin, ndërkohë që këta ndërkombëtarët duan të na vjedhin, poshtërojnë, të bëjnë ç’të duan me vendin tonë, dhe të na fusin edhe në burg madje!
Ndaj, poshtë revizionizmi amerikan e rrofshin e qofshin burrat e kombit shqiptar që as kanë vjedhur, as kanë vrarë e as kanë bërë ndonjë të keqe ndonjëherë!