Lushnjë-Një aksident me pasojë vdekjen ndodhi ditën e djeshme(10 tetor 2024) në fshatin Kashtëbardhë të Lushnjës.
Autoboti me karburant që drejtohej nga 25-vjeçari, Petro Piti u përplas me një zetor. Fatkeqësisht i riu nuk mundi të mbijetonte.
Ndërkohë sot blutë kanë njoftuar se kanë arrestuar drejtuesin e zetorit 41-vjeçarin. Edhe pse testi që kreu për alkoolin doli i pastër ai akuzohet për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mbrëmjen e djeshme, për aksidentin rrugor të ndodhur në aksin "Lushnjë-Berat", ku si pasojë e përplasjes së një mjeti bujqësor me një autobot të ngarkuar me lëndë hidrokarbure, humbi jetën drejtuesi i autobotit, shtetasi P. P., 25 vjeç, informojmë se specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore arrestuan drejtuesin e mjetit bujqësor, shtetasin:
A. T., 41 vjeç, banues në fshatin Kashtbardhë, Lushnjë.
Nga kryerja e testit të alkoolit, shtetasi A. T. rezultoi në masën 0.00 mg/l.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen.