Kronikë

Zgjedhjet/ 500 euro në këmbim të votës për Berishën, në pranga 38-vjeçari në Lushnjë! PD mohon përfshirjen, dosja në SPAK (EMRI+VIDEO)

14 Prill, 09:20| Përditesimi: 15 Prill, 18:18

  • Share

LUSHNJË- Vetëm pak ditë nga hapja e fushatës zgjedhore dhe në Lushnje, policia ka bërë arrestimin e parë me dyshimin për blerje votash. Gjithçka nisi pas denoncimit në komisariat të një qytetari, se një person i quajtur Marin Leka me banim në Lushnjë, i kishte premtuar t’i jepte 50 mijë lekë të rinj në total (ose 500 euro), nëse ai dhe familja e tij, votonin më 11 maj, për një subjekt politik. Ai u ka treguar policisë se “si garanci, 38-vjeçari, tanimë i arrestuar, i kishte kërkuar, t’i merrte kartën e tij të identitetit”.

Në bashkëpunim me prokurorinë e Fierit, efektivët e Lushnjës, kryen kontroll në banesën e 38-vjecarit, ku gjetën kartën e identitetit të denoncuesit Muharrem Toska. Arrestimi i Lekës, siç njofton zyrtarisht policia, u bë nën dyshimet për dy vepra penale “Korrupsion aktiv në zgjedhje" dhe “Marrja dhe përdorimi i paligjshëm i dokumentit të identifikimit”, e nëse shpallet fajtor, rrezikon për secilën nga veprat 1 deri në 5 vjet burg.

Krimet elektorale janë në kompetencën e SPAK, ndaj prokuroria e rrethit Fier e delegoi çështjen pranë Strukturës së Posaçme. Report Tv mëson se në denoncimin bërë në polici Muharrem Toska deklaroi se paratë e premtuara do t’i jepeshin në rast se do të votonte më 11 maj për Partinë Demokratike. Ai pranon se ia dha kartën Marin Lekës, porse menjëherë më pas ishte penduar për këtë veprim, dhe kishte zgjedhur t’u drejtohej policisë për të bërë denoncim.

I arrestuari Marin Leka mësohet se e ka pranuar që ka marrë kartën e qytetarit, e cila iu gjet në banesë, me premtimin se do i jepte para në këmbim të votës, por nuk ka treguar se për cilin subjekt politik e kërkoi votën e tij dhe të familjes.

Në një reagim publik, PD e Fierit, tha se distancohet nga çdo krim elektoral, dhe i kërkon SPAK të vë këdo para përgjegjësisë.  Por sipas saj, e gjitha është një histori e stisur nga policia për llogari të Partisë socialiste dhe drejtueses politike në qarkun e Fierit Belinda Balluku.

"Sajesat e turpshme si të Sigurimit të Shtetit as na ndikojnë, as na shfokusojnë nga misioni ynë për të bërë më të mirën për Shqipërinë. Ne distancohemi nga çdo krim elektoral dhe jemi në krye të betejës kundër shkeljeve të ligjit në zgjedhje. Manipulimet e opinionit publik të kryer nga Policia e Shtetit, një bandë në shërbim të Belinda Ballukut, duhet të marrin përgjigje nga Prokuroria e Posaçme. SPAK duhet të hetojë menjëherë rastin dhe të vendosë para përgjegjësisë cilindo që ka shkelur ligjin.

Ne kemi besim të plotë tek SPAK për zbardhjen e këtij rasti, ku po keqpërdoret Policia e Shtetit për propagandë bajate kundër PD.Sajesa e trashë, qesharake dhe e turpshme e Policisë së Shtetit është bërë për llogari të PS dhe Belinda Ballukut për të zhurmuar krimin elektoral të detyrimit të administratës për të marrë pjesë në miringjet e PS. 35 fletëthirrje janë dërguar tek strukturat e Partisë Socialiste për krime zgjedhore vetëm ditën e djeshme për këtë krim elektoral. Ne inkurajojmë Prokurorinë e Posaçme që të vijojë punën për goditjen e çdo krimi zgjedhor në qarkun Fier", thuhet në reagim. 

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, prokuroritë e zakonshme dhe SPAK morën denoncime dhe referime nga policia për krime zgjedhore për 291 raste, ndërsa për zgjedhjet lokale të vitit 2023 numri i denoncimeve ishte 73.

Ora 17:39
500 euro votë për Berishën, PS e Fierit i përgjigjet PD-së: Janë kapur në krim elektoral, edhe tani bëjnë viktimën

 

Kiduina Zaka, kandidate për deputete e Qarkut të Fierit, ka reaguar me një deklaratë zyrtare ditën e sotme pas akuzave të hedhura nga demokratët e Fierit. Zaka tha se lidhur me deklaratën e PD-së se pas ngjarjes ku një qytetar u arrestua se do shkëmbente votën për Berishën 500 qëndron PS, kandidatja theksoi se kjo është e ulët.

Sipas saj, PD-ja është kapur në krim elektoral, duke nënvizuar se demokratët, sipas saj, njihen kur duan të arrijnë qëllimet e tyre.

"Partia Socialiste nuk komenton asnjëherë çështje të cilat janë nën hetim nga organet e drejtësisë, por sot jemi detyruar të reagojmë për shkak të një deklarate të rreme dhe ulët të Partisë Demokratike, qarku Fier, po aq te ulët sa edhe veprimet e tyre.

Partia Demokratike  përpiqet të mbulojë të vërtetën lidhur me arrestimin e një personi, i cili kërkonte të blinte vota për Partine Demokratike, duke akuzuar Policinë e Shtetit për skenarë të organizuar.

Kemi marrë dije sot nga mediat se Policia Shtetit ka njoftuar zyrtarisht se pas një kallëzimi të bërë nga një shtetas banor i bashkisë së Lushnjes, ka arrestuar Marim Lekajn, 38 vjeç, banues në Njësinë Administrative Hysgjokaj të bashkisë Lushnje, i cili i ka premtuar dhënien e një shumë parash shtetasit kallëzues, duke i kërkuar të votojë për Partinë Demokratike dhe i ka marrë atij Kartën e Identitetit.

Të kapur në krim elektoral, drejtuesit lokalë të PD Fier, përpiqen të heqin përgjegjësinë nga vetja, duke hedhur baltë mbi të tjerët, por shqiptarët e dijnë mirë se kush janë ata,  që për të arritur qëllimet e tyre të mbrapshta, janë gati të vrasin edhe njerëz, siç ka ndodhur në zgjedhjet e kaluara.

Ne  ju bëjmë thirrje drejtuesve lokalë dhe qendrore të Partisë Demokratike, të heqin dorë nga këto tentativa kriminale për të prishur procesin zgjedhor, pasi nuk kanë asnjë shans ta deformojnë vullnetin e popullit shqiptar.

Ne e kuptojmë qartë se të gjitha deklaratat e Bufit apo sejmenëve të tij , si dhe të gjithë veprimet e paprecedenta që po ndërmarrin,  janë thjeshtë dhe vetëm për të justifikuar humbjen historike te 11 Majit, për partine e kënetës dhe partickat kioska që kanë hapur, për të çorientuar votuesit. Vota e Shqiptarëve do të jetë për të ardhmen e tyre europiane, për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian, për pasaportën europiane dhe jo për kënetën ku duan ta mbajnë bufat dhe bretkosat e vjetër e të rinj të politikës shqiptare Në të njëjtën kohë Partia Socialiste ju bën thirrje qytetarëve të Lushnjes dhe gjithë qarkut Fier, që të denoncojnë pa frikë çdo tentativë për blerje votash, apo krime te tjera elektorale.

Fushata elektorale është një moment për shpalosje programesh politike, takime me zgjedhësit, konkurrencë transparente dhe të ndershme dhe jo një arenë shpifjesh e intrigash për tu pasur zili dhe nga regjisorë telenovelash të pasditeve. Kërkojmë nga organet ligjzbatuese që të hetojnë çdo rast të shkeljes së ligjit, apo Kodit Zgjedhor në të gjithë parametrat e tij dhe garantojmë që Partia Socialiste është e totalisht e angazhuar për të performuar sipas kornizës ligjore dhe elektorale, pa dëmtuar imazhin e vendit tonë, që ndodhet tashme në procesin e shumëpritur të anëtarësimit europian."-tha Zaka. 

Ora 14:19
VIDEO/ '500 euro për një votë', Berisha: Manipulim si rasti i Belerit! Vlora Hysenaj dhe Ardi Veliu autorë, do ‘fluturojnë pas... (harron datën e zgjedhjeve)

Kreu i PD-së, Sali Berisha, akuzoi drejtoreshën e SHISH, Vlora Hyseni, si dhe ish-kryepolicin Ardi Veliu, se janë autorët e manipulimit të rastit të Lushnjës, të ryshfetit 500 euro për blerjen e votës në favor të PD-së, ku u bë edhe një arrestim nga Policia.

Ai e krahasoi në ngjashmëri me rastin e Fredi Belerit në Himarë, teksa e shoqëroi me të qeshura dhe ironi, duke paralajmëruar edhe dy “autorët” e manipulimit se pas 11 majit do “fluturojnë”, por në këtë moment pësoi edhe një boshllëk mendimi” pasi nuk po kujtonte dot datën e zgjedhjeve duke thënë (pas 11... pas 11).

Berisha paralajmëroi se edhe personi që është përfshirë në manipulim, nëse i përket strukturave, do përjashtohet përjetësisht nga PD-ja.

“Po të garantoj unë një më një se është si rasti i Belerit, e inskenuar nga Vlora Hysenaj dhe Ardi Veliu, kategoria e provokatorëve se do fluturojnë atje ku e meritojnë dhe pas datës 14, pas datës 11, pas, data, 11... (harron datën e zgjedhjeve) do përgjigjet para ligjit, nëse ai që eka bërë garantoj se do e përjashtoj nga PD-ja si të rekrutuar nga Ardi Veliu dhe Vlora Hysenaj”, tha ai mes të tjerash.

Xh.K/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 15/04/2025 03:37

    Shit-blerja e votes ne Shqiperi eshte nje problem i vjeter,por ajo qe me ben pershtypje eshte mendjelehtesia e ketij zoterise qe i jep ID nje te panjohuri!Si mo e jep ID keshtu?! E ka idene ky se c'mund te beje dikush me nje ID? Te ben gjemen,te merr kredi ne emrin tend,te merr pronen,te merr pensionin,te merr parate qe ke ruajtur ne banke,etj.etj Duket qe ne Shqiperi mungon kultura qe ID eshte nje nga dokumentet me te shenjta qe duhet t'a ruash si syte e ballit,kurse ky shkon e ja jep nje te panjohuri per 500 euro premtim!

    Përgjigju
  • Ushnja: 14/04/2025 17:57

    Hemo nje kacidhe ka kerkuar.. po Latifi i Amerikes qe do mare miliona.. Hyp Xhixhi… ka para Saliu

    Përgjigju
  • Mario: 14/04/2025 14:40

    Jo hera e pare qe kapen duke blere vota PD dhe PL e Metes.

    Përgjigju
  • Tirana: 14/04/2025 13:49

    Po pra Marin Gjin Gjon Pal Prek Llesh Maloqeri Shpellare Vicidoli.

    Përgjigju
  • Or tej: 14/04/2025 13:26

    500Euro nuk qenkan pak or teeeejjjjj

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet t’u jepet mundësia prokurorëve të SPAK të rikandidojnë?