Lushnjë- Policia e Lushnjës goditi sot (27 janar) një grup të shitjes së lëndëve narkotike dhe shfrytëzimit të prostitucionit, duke arrestuar 3 persona, mes tyre pronari i një servisi dhe punëtori i tij.
Në pranga gjatë operacionit të koduar “Koordinimi” ranë 2 persona, që akuzohen se kishin përshtatur ambientet e servisit të automjeteve, për përgatitje dhe shpërndarje të drogave të forta, kryesisht kokainë.
Në pranga ra edhe një person i tretë që blinte lëndën narkotike nga ata, si dhe shfrytëzonte për prostitucion një vajzë 24-vjeçare.
“Në ambientet e servisit, u kapën në flagrancë dhe u arrestuan shtetasit A. S., 40 vjeç, banues në Lushnjë dhe B. T., 62 vjeç, banues në Dushk, pasi gjatë kontrollit në ambientet e servisit në administrim nga shtetasi A. S., në të cilin ishte i punësuar shtetasi B. T., shërbimet e Policisë gjetën sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë, e ndarë në doza, gati për shitje”, bëri me dije policia.
I arrestuari tjetër është Z. S., 44 vjeç, banues në Kuçovë.
“Ky shtetas kishte shkuar në ambientet e servisit, për të blerë lëndë narkotike, i shoqëruar nga një shtetase 24 vjeçe nga Kuçova, të cilën dyshohet se ai e shfrytëzonte për prostitucion”, bëhet me dije nga blutë vendorë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dozat e kokainës që u gjetën në ambientet e servisit, 2 peshore elektronike, shuma parash të valutave të ndryshme dhe 3 celularë.