Lushnjë- Një aksident ka ndodhur pasditen e sotme (3 Tetor) në aksin kombëtar Lushnjë-Berat.
Një mjet tip “Volkswagen” që shërbente si taksi, ka dalë nga rruga në afërsi të fshatit Kashtbardhë, në kthesën që kalon këtë zonë.
Në timonin e veturës ka qenë një 40-vjeçare me inicialet M.Sh., e cila ka humbur kontrollin dhe për pasojë ka dalë nga rruga. Mjeti ka përfunduar në kanalin kullues.
Drejtuesja e mjetit është dërguar me urgjencë në spitalin e Lushnjës, ku dhe është nën kujdesin e mjekëve, kurse për nxjerrjen e saj nga makina është dashur ardhja e zjarrfikësve të Lushnjës. Siç shihet edhe nga pamjet, makina ka marrë dëmtime të rënda.
Policia vendore dhe ekspertët rrugorë shkuan në vendngjarje dhe po kryejnë dokumentimin e aksidentit. Ngjarja krijoi edhe trafik të përkohshëm në rrugë.
Paraprakisht dyshohet se drejtuesja e mjetit ka humbur kontrollin për shkak të shpejtësisë, me të cilën po lëvizte, teksa pritet përmirësimi i gjendjes së saj shëndetësore, për ta marrë në pyetje dhe po verifikohet dokumentacioni nëse ajo është pronare e mjetit taksi, apo e kishte në përdorim.
Kthesa në fjalë është shumë e rrezikshme, ku edhe barrierat anësore të hekurta janë dëmtuar dhe shqyer nga daljet e shpeshta të makinave nga rruga në këtë segment.