I njëjti skenar: Opozita shpall ditën dhe orën e mosbindjes civile. Bllokohen për tre orë pesë nyje kryesore të qarkullimit në Tiranë. Objektivi: qeveri teknike. Rezutati? Bllokim i rrugeve nga shiu dhe nga trafiku i përhershëm, përplasje të vogla me policinë, frustim i shoferëve dhe tituj të zjarrtë në media.
Mosbindja civile, kur organizohet mirë dhe mbështetet nga opinioni i gjerë publik, ka shërbyer keto tre dekada si një mekanizëm i fuqishëm për ndryshim. Megjithatë, në këtë rast, duket se opozita nuk po arrin atje ku synon, seose nuk duket se ka mobilizim popullor. Shih pjesëmarrjen në protesta të këtyre ditëve në Beograd apo Gjeorgji dhe bej krahasim.
Debatet më të mëdha prej kohësh këtu kanë qenë për pjesëmarrjen në protestë.Thirrja ishte për pjesëmarrje nga gjithë Shqipëria, por bllokimi i rrugëve me një numër të vogël protestuesish nuk përçon mesazhin e forcës.
Trafiku është dhimbja e kokës për secilin nga 800 mijë njerëzit që jetojnë në Tiranë. Aq më tepër në ditët e festave të fundvitit. Në vend që të protestojë për bllokimin e rrugëve, duke bllokuar rrugët opozita rrezikon që edhe ata qe mund t’i ketë aleatë t’i kthejë në kundërshtarë. Përsëritja e protestës pa sjellë asgjë të re, zbeh rëndësinë e saj.
Në anën tjetër, veprimet e policisë shtojnë teatralitetin e ngjarjes. Mungesa e përplasjeve thekson aspektin formal të protestës.Të dyja palët duken sikur po bëjnë “detyrën”. Mosbindje civile do të thotë që të bësh me ndërgjegje veprime në kundërshtim me ligjin dhe të përballesh me pasojat. Ndaj, kur drejtuesit e opozitës i bëjnë thirrje policisë të bëje detyrën, duhet të kenë parasysh se kjo nënkupton që ata kanë kurajon të përballen me ligjin.
Në vend të bllokimit të rrugëve që janë pothuajse të bllokuara, opozita mund të organizojë protesta më të dukshme dhe më efikase në hapësira publike. Mund të bllokojë edhe zyrat e ministrive, mund të bëjë protesta kreative, marshime apo instalacione simbolike që mund të tërheqin vëmendjen pa e larguar dhe, mbi të gjitha, pa e inatosur publikun.
Lëvizjet e suksesshme të mosbindjes civile shpesh përfshijnë një gamë të gjerë aktorësh, studentë, punëtorë, intelektualë, artistë, etj. Pa e bërë kauzën e saj më gjithëpërfshirëse dhe të prekshme, opozita mund të shtojë numrin e protestave, por jo të protestuesve
Ka më shumë se 11 vjet që qytetarët e kanë parë se çfarë ofron qeveria. Tani është koha që opozita të ofrojë alternativë. Kjo do të thotë një front sa më të gjerë, shmangien e konflikteve të brendshme dhe rezonancë me hallet e njerëzve.
Protestat janë një pjesë oksigjeni për çdo demokraci, por efektiviteti i tyre varet nga të qenit në një mendje me publikun.
Rruga drejt ndryshimit nuk kalon përmes bllokimeve, por përmes ideve, bashkimit, dhe një vizioni të qartë dhe të prekshëm.
Opozita është ende në kohë për të vendosur nëse dëshiron të mbahet mend për bllokimet e saj apo për shtigjet që hap drejt një jetese me të mirë për shqiptarët.