Lutfi Dervishi: Meta dhe epilogu i një karriere të mbushur me kontradikta

22 Tetor, 07:55| Përditesimi: 22 Tetor, 08:03

  • Share

Ilir Meta mund të ishte sot duke dhënë mësim në fakultet, por ende pa mbaruar studimet në dhjetor të 90-tës, vendosi t'i futej rrugës se politikës për të kapur, si rrallë kush brenda tri dekadash, majat e profesionit të dytë me të vjetër në botë, politikës, si ministër, Kryeministër, Kryetar Parlamenti dhe President Republike.

Sot (dje, 21 Tetor), ai u arrestua rrëmbyeshëm me akuzat për pastrim parash, mos deklarim pasurie dhe korrupsion. Bashkëshortja e tij dhe bashkëudhëtarja politike deri para pak muajsh, hetohet në gjendje të lirë. 

Akuza do duhet të provoje në gjykatë se "çfarë ka marrë Meta", ndërkohë historia do të vlerësojë edhe çfarë ka dhënë ai në këto 30 vite.

I vetëbërë në politikë, Meta u bë Kryeministri me i ri i tranzicionit, në moshën 29-vjeçare. I vlerësuar si kryeministër i suksesshëm me 1999-2001, Meta synoi shumë shpejt gjithçka. Dha dorëheqjen pas përplasjeve me kryetarin e PS-së Nano dhe u nxitua të krijonte LSI- në, më 2004. Nëse do të kishte përvojën e durimit strategjik, një vit me pas ai mund të ishte kryetari i natyrshëm i PS-së. 

Me LSI-në, Meta arriti të thyejë përkohësisht dypolin PS-PD.

Forca e krijuar prej tij bëri të mundur rotacionin më 2005 dhe 2013.

Aleanca me PS-në, më 2013 i dhuroi pushtet për herë të dytë LSI-së, pas 4-vjeçarit me PD-në. Aleanca me Ramën është dhe fillimi i fundit të LSI-se. 

Kur partia e krijuar prej tij nuk mundi të luante rolin e “king maker”, mbeti vetë “king”.

Katër vjet kryetar Parlamenti dhe 5 vjet President i Republikës ishin dhe majat e pushtetit personal të Metës. Nga lartësia e kreut të shtetit ai përballoi dy "impeachment" nga shumica që e zgjodhi, por pa edhe rrudhjen e LSI-së që u mundua ta ripërtërijë, pas mandatit presidencial (2017-2022) duke e riformatuar si Partia e Lirisë. 

“Pushteti lodh ata që nuk e kanë”! Lëre pastaj ata që e kanë! Kjo maksimë u provua me Metën dhe partinë e tij.

Akuzat për korrupsion, përballjet në vite me prokurorët, paranoja që sjell, për cilindoqoftë, pushteti i gjatë, retorika e pakontrolluar, i sollën kosto politike, familjare dhe së fundmi, edhe ligjore. 

Në gjykatë Meta do të ballafaqohet me një hetim pesë vjeçar të SPAK për pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe korrupsion. 

Meta sot po përjeton një nga episodet më të errëta të karrierës së tij. Ashtu siç historia do të tregojë çfarë ai ka dhënë për politikën shqiptare dhe për vendin, drejtësia do të tregojë se çfarë ka marrë prej tyre. Tani, beteja e radhës e Metës është me drejtësinë që mund të vendosë epilogun e një karriere të mbushur me kontradikta. Në politikë ai ka vërtetuar thënien se mund të vdesë disa herë! /Marrë nga faqja në Facebook e Lutfi Dervishit/

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • i.m aka agushi: 22/10/2024 13:46

    o Lyfti pervecse ka vjedhur, s ite gjithe politikanet, por ky ca me shume asgje si ka dhene ketij vendi. Kujto kohen kur ishte presidnet edhe qe u shnderruane nje deficent. Ben mire qe kur te shkruash te thellohesh ca me shume

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?