Fortlumturia e tij Joani

Kultura
Opinion
Periferi

Lutja bashkon njerëzimin, lum kush ringjall Lutjen... në Shqip

16 Mars, 12:50| Përditesimi: 16 Mars, 13:30

  • Share

Nëse ka një akt hyjnor që bashkon njerëzit e të gjithë racave, mendimeve, prejardhjeve, origjinave, kohëve, vendeve, ajo është Lutja. Ka forma të ndryshme: fjalë të recituara ose të kënduara, mendime të brendshme, rituale, ose meditime. Është shprehja më antike që mban të lidhur njeriun me Krijuesin, është një praktikë universale që e gjejmë në të gjitha kulturat dhe traditat fetare, që nga besimet monoteiste (si Krishtërimi, Islami dhe Hebraizmi) në besimet politeiste (si Induizmi dhe besimet tradizionale afrikane), madje, madje, edhe në disa forma spiritualizmi jo fetar. Luten, në mënyrën e tyre, edhe ateistët.

Në Shqipëri Lutja u dhunua! U përgjak! U poshtërua! U tall! U nëpërkëmb! Deri në ag të viteve ’90 me rrëzimin e komunizmit, të ateizmit të imponuar. Pikërisht në këtë ag në Shqipëri, rasti dhe rrethanat sjellin më këmbëngulësin që ishte parë ndonjëherë, më të aftin dhe kokëfortin e ringjalljes së Lutjes brenda qenies njerëzore të dëshpëruar: Fortlumturinë e ndjerë, Anastas Janullatosin. Ai, bashkë me ato shpirtëra të vrarë e të copëtuar që pa se kishte përreth, si të ishte argjendari më i sprovuar, mblodhi sa gjeti, pa sa kishte bërë Fan Noli, pastroi, ngjiti, ndërtoi, forcoi, ringjalli. Nga ato copëza të shpërndara, si të ishin pjesë të një trupi të mbetur nga bomba atomike e antikrishtit, Anastasi i shqiptarëve na la atë që shohim sot: Kishën Orthodokse Autoqefale Shqiptare, me kryepiskopin e ri, Fortlumturinë e tij Joanin. Një kryepiskop që lutet, këndon, u flet shqip të gjithë shqiptarëve. Tamam ashtu siç deshi dhe ëndërroi babai i tij shpirtëror Janullatos, i cili shkruante: “Shqiptarët njohnin gjuhë të huaja dhe nuk e kishin të vështirë të kuptonin turqishten, greqishten, latinishten, por, për t’u lutur në mënyrë të vetëdijshme, duhet përdorur gjuha amëtare...”

Sot komuniteti orthodoks shqiptar ka Fortlumturinë që flet shumë gjuhë të botës, por më e rëndësishmja: Lutet dhe flet në shqip. Fortlumturia e tij, Joani, sapo mori stafetën e një rruge të gjatë, të mundimshme, por të mrekullueshme të ringjalljes së Lutjes në Shqipëri. Me Lutjen në shqip, me këngët e bukura dhe ritualet spektakolare, mendjet dhe trupat e shqiptarëve, veç mund të qetësohen, lulëzojnë dhe përmirësohen.

a.m./SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se SPAK po e heton siç duhet masakrën e Gërdecit?