Në Gjykatën e Korçës u zhvillua sot seanca e radhës për çështjen gjyqësore ndaj Dritson Kurtit, i akuzuar për marrëdhënie seksuale me të mitur. Seanca u mbajt në kuadër të shqyrtimit paraprak ku, ndryshe nga seanca e kaluar këtë radhë është marrë në konsideratë dhe komponenti kulturor i komuniteti të Kurtit.
Avokati i Kurtit në një deklaratë për mediat pas seancës, u shpreh se procesi po ecën drejt një rruge më të drejtë ligjore.
“Sot seanca në Gjykatën e Korçës shkoi shumë mirë. Deri në këtë moment procedurial ku ne jemi, u kërkua një seancë më parë rikualifikimi i akuzës nga neni 100/2 i Kodit Penal dhe gjykata ishte tërhequr për të marrë vendim. Pranonte rikualifikimin e akuzës. Tashmë në seancën e sotme, në gjykimin paraprak, gjykata e pranoi siç e kërkoi prokuroria, nga neni 100/2 në nenin 100/1. U kërkua nga ana jonë pjesa e gjykimit të shkurtuar çka u pranua nga gjykata.”-tha avokati.
Nga ana tjetër avokati tha se kanë bërë përpjekje për të trajtuar çështjen me ndjeshmëri kulturore, duke sjellë në vëmendje realitetin e komunitetit rom.
“Është bërë një punë kolosale për t’i krijuar bindjen dhe për t’i kërkuar organit të akuzës, rikualifikimin e akuzës. Në seancën e radhës do dëgjojmë konkluzionet e organit të akuzës. Vajza e mitur, viktima e këtij procesi ka folur duke kërkuar me insistim që bashkëshorti i saj të kthehej në shtëpi dhe të siguronte jetesën. I bëj thirrje të gjitha institucioneve, të marrin një vendim sa më të drejtë duke pasur parasysh se ka një konventë speciale për komunitetin rom dhe të shikohet me tepër rigorozitet Konventa Europiane për Romët.”-tha avokati.
Më tej avokati ka thënë se duke u bazuar në këtë argument ligjor, Kurti nuk rrezikon më 25 vite burg por një dënim nga 7 deri 15 vite.
“Nëse do të ishim tek kualifikimi i parë që bëri prokuroria, Dritson Kurti rrezikonte deri në 25 vite burg. Në këtë moment procedurial, kemi të bëjmë me një kërkesë për dënim nga 7-15 vite. Besoj se gjykata do marrë parasysh rrethanat lehtësuese dhe duhet theksuar që është një fakt shumë i rëndësishëm që viktima nuk ka bërë denoncim për këtë person.”-përfundoi avokati.
Bashkëshortja e Dritson Kurtit, e mitura 14-vjeçare që rezulton dhe viktima në këtë proces, tha për mendiat se kërkon lirimin e burrit të saj.
“Ma lironi burrin. Mua nuk ka kush të më ushqejë siç e kam thënë gjithmonë. S’kam krah pune. Të vështira shumë këto muaj, gjyshja më shumë borxh ka marrë te dyqani që na mban dhe mua dhe fëmijën tim. Dua vetëm të ma lironi.”-ka thënë ajo për mediat.
Nga ana tjetër për mediat ka folur dhe babai i të miturës, i cili mbrojti gjithashtu të drejtën e dhëndrit të tij për të qenë i lirë.
“Kemi dëshirë të lirohet. Kemi ligjet e vjetra të gjyshërve tanë, traditat tona të vjetra, sipas tyre kemi ecur dhe ne. Shteti e ka në dorë ta lirojë një orë e më parë. Edhe ne nuk kemi mundësi ta ndihmojmë. Punojmë me hekurishte e me mbeturina, po i rrisim fëmijët. Duam të lirohet, të krijojë familjen e vetë me fëmijët e vetë.”-tha babai vajzës.
Dritson Kurti, ra ne prangat e Policise se Korçës, me 7 shtator, një ditë pasi ishte bërë baba, pas lidhjes që kishte me një vajzë të mitur vetëm 14 vjeçare.
21 vjeçari, sipas prokurorisë së Korçës, ka kryer veprën penale të “kryerjes së marrëdhënieve seksuale me të mitur”.
Komente
