Presidenti francez Emmanuel Macron i bëri thirrje kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu të dielën t’i “japë fund sulmeve në Gaza dhe t’i kthehet armëpushimit”.
Apeli i Macron vjen pas bombardimeve që Izraeli ka rifilluar pas një dështimi për fazën e dytë të armëpushimit. Përmes një postimi në X lideri i Francës bën me dije ka zhvilluar një telefonatë me kryeministrit izraelit ku ndër të tjera shprehet se i ka kërkuar këtij të fundit e ndihmat humanitare duhet të rifillojnë menjëherë.
“Sapo fola me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu. Lirimi i të gjithë pengjeve dhe siguria e Izraelit janë prioritet për Francën. I bëra thirrje kryeministrit izraelit që t'i japë fund sulmeve në Gaza dhe t'i kthehet armëpushimit, të cilin Hamasi duhet ta pranojë. Theksova se ndihmat humanitare duhet të rifillojnë menjëherë. Ne do të vazhdojmë të punojmë për planin arab të rindërtimit dhe kthimin thelbësor në një horizont politik të bazuar në zgjidhjen me dy shtete, e cila është e vetmja rrugë drejt paqes dhe sigurisë për të dy popujt.
Çdo zhvendosje ose aneksim i detyruar do të shkonte kundër këtij qëllimi. Unë gjithashtu i bëra thirrje Izraelit që të respektojë rreptësisht armëpushimin për të cilin ishte zotuar në Liban. Kjo kërkesë vlen për të gjitha palët për të garantuar sigurinë e popullatës civile në të dy anët e Linjës Blu”, shkroi në X presidenti francez.
Macron gjithashtu “i bëri thirrje Izraelit që të respektojë rreptësisht armëpushimin” në Liban, ku Izraeli të premten bombardoi fortesën jugore të Bejrutit të aleatit të Hamasit, Hezbollahut, për herë të parë pas katër muajsh armëpushim.
“Për sa i përket Libanit, pas diskutimeve të mia me Presidentin libanez të premten dhe kësaj bisede me kryeministrin izraelit, ne kemi vendosur të punojmë së bashku. Mekanizmi i monitorimit duhet të forcohet për të rivendosur plotësisht sovranitetin e Libanit. Kjo përfshin një tërheqje të plotë të Izraelit nga territori libanez dhe mbështetje për të rivendosur monopolin e shtetit mbi armët.
Më në fund, pas bisedës sime telefonike të premten me presidentin sirian Al-Charaa, diskutuam me kryeministrin izraelit stabilizimin e Sirisë dhe rivendosjen e sovranitetit të saj të plotë. Ne do të vazhdojmë të koordinojmë ngushtë me autoritetet izraelite për të gjitha këto çështje prioritare. Lindja e Mesme ka nevojë për stabilitet. Vetëm një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme mund të garantojë një të ardhme për të gjithë”, përfundoi Macron.
Izraeli rifilloi bombardimet intensive të territorit palestinez më 18 mars dhe më pas nisi një ofensivë të re tokësore, duke i dhënë fund një armëpushimi gati dy mujor në luftën me Hamasin që grupi militant palestinez ndezi me sulmin e tij të 7 tetorit 2023.
Një ditë më parë, agjencia e mbrojtjes civile e Gazës tha se një sulm ajror izraelit në Khan Yunis vrau të paktën tetë njerëz, duke përfshirë pesë fëmijë, ndërsa palestinezët e zhvendosur të strehuar atje po festonin Fitër Bajramin, duke shënuar fundin e muajit të agjërimit mysliman të Ramazanit.
Komente
