Emmanuel Macron, 20 shkurt 2025

Bota

Macron: Në Uashington do i them Trumpit se nuk mund të tregosh dobësi përballë Putinit! Zelensky, president i zgjedhur në një sistem të lirë

20 Shkurt, 20:32| Përditesimi: 20 Shkurt, 20:38

  • Share

Presidenti francez, Emmanuel Macron, gjatë një komunikimi të drejtpërdrejtë me qytetarët në rrjetet sociale, deklaroi se lufta në Ukrainë ka shkaktuar një bilanc tragjik viktimash.

Duke folur nga Pallati Elisee, Macron nënvizoi rëndësinë e arritjes së një paqeje të qëndrueshme, duke kundërshtuar idenë e një armëpushimi që, sipas tij, do të përbënte një dorëzim të Ukrainës.

"Ne duam paqen, por jo një armëpushim që do të nënkuptonte kapitullimin e Ukrainës", theksoi ai, duke i bërë thirrje vendeve evropiane që të rrisin mbështetjen ushtarake.

Macron, i cili pritet të vizitojë Uashingtonin javën e ardhshme, tha se do t’i kërkojë Donald Trump-it të qëndrojë i vendosur përballë Vladimir Putinit.

"Do t’i them Trump-it: ‘Nuk mund të tregosh dobësi përballë Putinit. Nuk është në stilin tënd dhe nuk është në interesin tënd strategjik.’", tha Macron, duke argumentuar se një qëndrim i tillë do të dëmtonte besueshmërinë e Trump-it përballë Kinës.

Macron gjithashtu njoftoi se do të zhvillojë një bisedë me videokonferencë me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, për të diskutuar situatën e luftës.

Duke iu përgjigjur deklaratave të fundit të Donald Trump, i cili e ka cilësuar Zelenskyn si një "diktator pa zgjedhje", Macron tha qartë:

"Zelensky është një president i zgjedhur në një sistem të lirë, ndryshe nga rasti i Putinit."

Vizita e tij në SHBA dhe bisedimet me liderët kryesorë pritet të jenë vendimtare për të ardhmen e mbështetjes ndaj Ukrainës.

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Primaret në PD, a mendoni se do të jetë një proces i drejtë?