Presidenti francez Emanuel Macron.

Macron paralajmëron konferencë për Ballkanin Perëndimor: S’ka paqe 50 vjet për Europën nëse e lëmë siç është sot

9 Dhjetor 2021, 22:45| Përditesimi: 9 Dhjetor 2021, 22:50

  • Share

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka paralajmëruar se gjatë Presidencës Franceze të Bashkimit Evropian do të organizojë edhe një konferencë për Ballkanin Perëndimor. Ai e ka thënë këtë në një konferencë për shtyp, ku ka folur gjerësisht për prioritetet e Presidencës Franceze të Këshillit të BE-së që fillon më 1 janar të vitit të ardhshëm.

“Fqinjësia jonë më e afërt është Ballkani Perëndimor. Në qershor do të organizojmë konferencën për Ballkanin Perëndimor sepse Ballkani është më shumë se fqinjësi, është në zemër të Evropës. Mjafton të shikohet harta dhe historia jonë”, tha Macron.

Macron shtoi se aktualisht Rajoni është duke kaluar në një fazë tensionesh.

“Historia kthehet nganjëherë edhe në mënyrë tragjike. Prandaj sot kemi një përgjegjësi të veçantë ndaj Ballkanit Perëndimor. Atje duhet të zbatojmë politikën e angazhimit të ri, por edhe investimeve në mënyrë që të favorizojmë integrimin ekonomik të rajonit, ndihmojmë shkëmbimin e njerëzve, zgjidhim çështjet e pakicave dhe luftojmë kundër ndikimeve dhe manipulimeve që janë pasojë e angazhimit të fuqive që përmes Ballkanit duan ta destabilizojnë Evropën”, u shpreh presidenti Macron.

Ai ka shtuar se angazhimi politik dhe ekonomik në Ballkanin Perëndimor është agjendë e vërtetë për sovranitetin e Evropës, sepse, siç është shprehur, “nuk mund ta ndërtojmë Evropën në paqe për 50 vjetët e ardhshme, nëse e lëmë Ballkanin Perëndimor në situatën në të cilën është sot”.

“Kjo do të thotë se duhet të sqarojmë perspektivën evropiane, të investojmë në rajon, në unitetin e tij dhe të kemi një ambicie të përbashkët për dekadën që vjen”, shtoi Macron.

Ky paralajmërim është inkurajues pasi Franca në vitet e fundit ka qenë ndër shtetet skeptike ndaj procesit të zgjerimit të BE-së. Pikërisht me kërkesë të Francës është ndryshuar metodologjia e procesit të negociatave të anëtarësimit në BE. Franca e merr kryesimin e BE-së nga Sllovenia, më 1 janar të vitit të ardhshëm. Pas gjashtë muajsh, më 1 korrik 2022, Franca ia dorëzon kryesimin e BE-së, Republikës Çeke.

Komento

Komente

  • Iris: 10/12/2021 02:23

    /S'ka paqe per Europen,pa Ballkanin/!/....kemi pergjegjesi te vecante ndaj Ballkanit Perendimor/!U desh me shume se 100 vjet,por me ne fund e kuptuat.Ka ardhur koha te lani mekatet e paraardhesve tuaj qe i bete ndaj Ballkanit.Tregeti territoresh sikur i kishit tuajat,perkrahje grupesh qe ju interesonin axhendave tuaja,trajtimi i ballkanasve si qytetare te dores se dyte e te trete,si barbare te pagdhendur te ardhur nga malet...lista vazhdon.Ka ardhur koha te fitojme respektin e merituar,si gadishulli ku filluan rrenjet e qyteterimit evropian.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?