Vizitën e dytë zyrtare në Shqipëri, por të parën me bashkëshorten Brizhitë, presidenti francez Emanuel Macron, e nis këtë të premte, me nënshkrimin e planveprimit të Strategjisë “Green AI”, për zhvillimin e gjelbër e të qëndrueshëm përmes Inteligjencës artificiale.
Në orën 20.00, pranë Piramidës mbrëmjen e sotme bëhet dhe inaugurimi i “Ecole 42”, një nga shkollat franceze më në zë në fushën e teknologjisë e që do të jetë një mundësi për të rinjtë e talentuar, jo vetëm nga Shqipëria.
Presidenti francez do ta vijojë vizitën zyrtare në Tiranë, me një takim me komunitetin francez dhe më pas, bashkë me zonjën e parë Brizhitë, do të marrin pjesë në darkën zyrtare të shtruar nga kryeministri Edi Rama dhe bashkëshortja e tij Linda, në nder të mysafirëve francezë, në Pallatin e Brigadave.
Në darkë, dy liderët do të mbajnë një fjalë të shkurtër, ndërsa çifti presidencial do të akomodohet në një nga vilat qeveritare në zemër të kryeqytetit.
E shtuna e 17 majit do të jetë sërish e ngjeshur me takime për shefin e Elizesë. Në mëngjes, Macron do të ketë takim dypalësh me Kryeministrin Edi Rama, që do të pasohet me nënshkrimin, në orën 09.30 e disa marrëveshjeve, në fushën e mbrojtjes, turizmit dhe prodhimit të energjisë.
Vizita zyrtare e Emanuel Macron do të vijojë me një deklaratë të përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama, dhe më pas do të përmbyllet me fjalën e të dy udhëheqësve në forumin ndërkombëtar “Iniciativa e Investimeve të së Ardhmes”.
Komente
