Macron, LaCivita dhe Starmer

Opinion

Minxhozi: Macron, Starmer dhe 'fantazma' elektorale e LaCivitas

10 Prill, 13:19| Përditesimi: 10 Prill, 19:42

  • Share

Edi Rama do të donte që Samiti i Komunitetit Politik Evropian të mbahej në datën e tij fillestare të përfolur, 9 maj. Pra dy ditë para zgjedhjeve. Për arsye të kuptueshme korrektese në raport me votën e shqiptarëve, kjo datë ishte e papërshtatshme, por kjo s’do të thotë që marketingu që kjo ngjarje po prodhon është më pak i rëndësishëm për organizatorët. Domethënë për qeverinë socialiste dhe kryeministrin e saj, i cili është i njohur për organizime e protokolle të kësaj natyre. Është e ditur se Rama egzaltohet në përgatitjen e ngjarjeve të tilla, merret me çdo ftesë, me menunë e ushqimit, vendin ku do ulen miqtë dhe dekorin e sallave e qilimin e kuq që pret delegacionet tek hyrja. E gjitha kjo e ka një arsye madhore shtesë, përtej detajeve për të cilat Rama njihet se është “i sëmurë”: një Samit i këtij formati është dhurata më e bukur elektorale që kryeministri do të kishte zgjedhur symbyllur edhe sikur ta pyesnin dhjetë herë rresht!

Ky samit e kthen Ramën në territorin e vet të preferuar të komfortit: politikën e jashtme. Një sferë e politikbërjes e cila në rastin e socialistëve kompenson edhe konsumin e qëndrimit gjatë në pushtet. Në fakt në 12 vjet drejtimi të vendit, me ulje-ngritjet e ekonomisë, mungesën e efiçensës në shkallët e ndryshme të qeverisjes, rastet e korrupsionit dhe premtimet e pambajtura, politika e jashtme ka qenë rregullisht kali i betejës i maxhorancës aktuale që ka nxjerrë nga pika e vdekur karvanin socialist.

Gjetja e pasaportës evropiane si simbol i fushatës elektorale vjen si një akt gati i detyrueshëm për Edi Ramën, si ikona e suksesit më të madh të qeverisjes së tij katërvjeçare, të mjegulluar nga Spak dhe amullitë e tjera të politikës së brendshme.

Në katër vitet e fundit u hapën negociatat me Brukselin dhe vendi riktheu kokën nga industria e turizmit e tulatur nga pandemia. Aktualisht jemi, për habinë e të gjithëve, një vend i dalluar në kryerjen e detyrave të shtëpisë së Brukselit. Aq të dalluar sa komisionerja e zgjerimit deklaron publikisht se negociatat do të mbyllen brenda vitit 2027!

Në anën tjetër, turizmi është afirmuar pa më të voglin dyshim si aktiviteti më i suksseshëm ekonomik i qeverive Rama që nga viti 2013. Një bilanc prej miliona turistësh të huaj, paralelisht me hapjen e kapitujve të parë të negociatave me Bashkimin Evropian, janë dy duar që lajnë njëra-tjetrën në procesin e normalizimit dhe hapjes së vendit ndaj botës.

Edhe një episod në dukje sipërfaqësor, ai i ardhjes dy herë në Tiranë të një presidenti francez brenda një viti e gjysëm (një i tillë s’kishte shkellur kurrë më parë tokën shqiptare), përbën një avantazh të cilin Edi Rama po e përdor në këtë atmosferë zgjedhjesh, duke e vënë Samitin mu në mes të sheshit Skënderbej. Si për të thënë publikisht dhe me forcë se ky është arsenali i tij i vërtetë në garën me kundërshtarët.

Data e zgjedhjeve po i ofron një bonus unik kryeministrit Rama. Një Samit i cili mbledh në qendër të Tiranës një hapësirë shtetesh që nisin në Kaukaz dhe mbarojnë në ishullin britanik. Nuk është e rastit që fillimi zyrtar i fushatës zgjedhore në Shqipëri po përkon me njoftimet për vizitat zyrtare që presidenti francez dhe kryeministri britanik do të zhvillojnë paralelisht me mbajtjen e Samitit, i pari në datën 17 maj dhe i dyti në datën 15. Nëse kësaj dysheje i shton Von Der Leyen, kancelarin Merz, Melonin, Zelenskin, Erdoganin e dy dyzina liderësh të tjerë të kontinentit, menuja e 16 majit bëhet “e rëndë në kalori”.

Vjen kësisoj e përsëritet një situatë e njohur për të gjithë ne shqiptarët, ku opozita njofton çdo javë izolimin e afërt qeverisë socialiste në planin ndërkombëtar dhe rregullisht ky lloj parashikimi hidhet poshtë nga ajo që ndodh në terren. Aty ku thuret rrjeta e ndërlikuar e raporteve me shtetet dhe institucionet, e ku Edi Rama ka treguar se di të notojë më me shkathtësi sesa me ndërtimin e një ujësjellësi në Kukës apo një cope rrugë në Përmet.

Kemi mësuar mjaftueshëm në këto 30 e kusur vite se kjo rrethanë, pra mbajtja e raporteve të ngushta me vendet dhe institucionet më të rëndësishme ndërkombëtare përbën një koeficient që nuk i shërben vetëm karrierave personale të krerëve tanë politikë, por edhe vetë vendit. Një shtet i vogël dhe i ekspozuar ekonomikisht dhe në planin e sigurisë si Shqipëria, ka nevojë konstante të ruajë e forcojë marrëdhëniet me miqtë dhe partnerët.

Bilanci 12 vjeçar i qeverisjes së majtë në planin e brendshëm ka treguar prej kohësh shenja plakjeje e konsumi. Është një bilanc i cili do ta vendoste në risk fitoren e mandatit të katërt nëse nuk do të shoqërohej në sfond nga një proces i vazhdueshëm dhe për disa aspekte edhe i papritur hapjeje dhe bashkëpunimi të ngushtë me vendet kryesore të Evropës e SHBA.

Kjo është hipoteka e vërtetë e qeverisjes së Ramës në katër vitet e fundit, kur negociatat me BE u hapën dhe kur miliona turistë zbuluan “papritur” se të vish në Ksamil është po aq bukur dhe komode sa të shkosh në një ishull grek të Egjeut.

Politika e jashtme dhe turizmi, të përmbledhura nën nocionin e “hapjes” së vendit, janë suksesi i vërtetë 12 vjeçar i qeverisjes socialiste. I cili kontraston edhe më shumë kur vendoset përballë pozitës së vështirë të kundërshtarit kryesor Sali Berisha. Një politikan i veteran i cili dikur priste Xhorxh Bush në Tiranë, kurse sot gëzohet e rreh shuplakat se e ftoi ambasada greke në festën kombëtare, teksa këshilltari i Trump Lacivita është kthyer tashmë në një lloj fantazme elektorale për të dhe opozitën shqiptare! Pozitë shumë e ndryshme kjo nga ajo e kundërshtarit që po bën gati tapetin e kuq të 16 majit!

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Nisi fushata zgjedhore për 11 majin, si e parashikoni?