Ekonomi

"‘Made in Albania', tashmë markë e sigurt në Evropë", Alban Zusi për Report Tv: Të krijohen zona industriale! Në programin e opozitës ka dëshira të parealizueshme

6 Prill 2021, 13:06| Përditesimi: 6 Prill 2021, 16:31

  • Share

Tregtia e mallrave ka nisur me rritje këtë vit, dhe kjo për kreun e shoqatës së eksportuesve është një tregues pozitiv.

Alban Zusi thotë për Report TV se marka ‘Made in Albania’ po fuqizohet dhe po preferohet nga bizneset e huaja. Sa i takon programeve politike Zusi shpreh rezerva për atë të opozitës, sipas të cilit ka dëshira të parealizueshme.

Produktet që prodhohen dhe përpunohen në Shqipëri po bëhen gjithnjë e më shumë atraktive për sipërmarrësit e huaj. Kreu i shoqatës së eksportuesve Alban Zusi thotë për Report TV se marka ‘Made in Albania’ tashmë ka zënë vend në tregun ndërkombëtar.

“Importuesit evropianë nuk e kanë më të sikletshme të vendosin në produktet e tyre edhe ‘Made in Albania’, sepse para disa vitesh ishte problematike dhe konsiderohej një imazh jo i mirë për produktet e tyre dhe përpiqeshin ta evitonin, ndërsa tani produktet shqiptare po zënë hapësirë për tu tregtuar me dinjitet dhe me emrin dhe prej-ardhjen e tyre”, shprehet Alban Zusi.

VIDEO/Intervista e plotë

Pandemia COVID-19 përpos anëve negative sipas Zusit ka ndikuar pozitivisht tek zgjerimi i hartës së shteteve me të cilët kemi marrëdhënie tregtare.

“Gjithmonë e më tepër eksportet shqiptare po synojnë të krijojnë një gjeografi të re, larg rajonit duke tentuar të futen në ekonomi të fuqishme. Kushtet e pandemisë i kanë shtyrë bizneset të mendojnë gjithnjë e më tepër për të dalë me një brand të tyre, dhe këtu nuk kam parasysh vetëm industrinë ushqimore por janë dhe ato të fasonerisë që po dalin me një produkt të tyre, po krijojnë departamentet e kërkim-zhvillimit dhe po përpiqen të dalin me ‘Made in Albania’. Ajo që është me rëndësi është që ne po dalim në treg me produkte të vështira dhe të përpunuara dhe jo me produkte të thjeshta”, sqaron Zusi.

Nga ana tjetër, Zusi thotë se sipërmarrja ka nevojë për lehtësim procedurash, pasi zgjatja në kohë e tyre dëmton investimet e reja, teksa propozon edhe krijimin e zonave industriale.

“Nëse ju paraqitet një oportunitet nuk do të thotë se këtë mundësi do ta ketë edhe mbas një vitit kur të mbarojnë procedurat e marrjes së lejes ndërtimore, ne duhet të lehtësojmë mënyrën e të bërit biznes, mundësisht të krijojmë disa zona industriale kjo është e rëndësishme, që kushdo që ka një ide brenda muajit të shkojë në zonë industriale dhe të investojë. Të jetë zonë me të gjitha taksat por të jetë e lehtë për të ndërtuar dhe shpejtësisë për të investuar”, shprehet kreu i eksportuesve.

Ndërkohë sa i takon programeve politike për këtë sektor, Zusi shikon si të pavend debatet për lehtësirat fiskale.

“Më shumë sesa lehtësira fiskale duhet t’ju krijojmë barazi në treg dhe lehtësi për të ecur shpejt. Premtohen gjëra ‘po të them atë që ke dëshirë të dëgjosh’ por jo mbi bazë analizash dhe kalkulimesh, vendimmarrjesh dhe agjendash konkrete për këtë punë të jesh 8 vite në opozitë ke mundësi plot për të ndërtuar agjendat e caktuara”, shprehet ai.

Në muajit e parë të këtij viti tregtia është përmirësuar krahasuar me vitin e kaluar, kur rënia ishte e lartë prej mbylljes së kufijve dhe ekonomisë si pasojë e pandemisë.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?