Kronikë

Magjia e Karnavaleve çel sezonin turistik në Korçë

13 Qershor 2021, 20:35| Përditesimi: 13 Qershor 2021, 21:17

  • Share

Festivali ndërkombëtar i Karnavaleve prej vitit 2008 çel sezonin turistik veror në qytetin e Korçës.

Tradita e hershme e kësaj feste pagane është ruajtur me fanatizëm nga vetë korçarët duke e kthyer kështu në festën simbol të qytetit.

Karnavalet gjithmonë i sjellin Korçës feste, ngjyra, argëtim, humor por përmes tyre dinë të përcjellin edhe mesazhe të veçanta.

25 grupe dhe 400 persona me kostume dhe tematika te larmishme ne mënyrë te organizuar kane performuar në çdo kënd të qytetit, ndërsa nuk mund të mungonin të ftuarit special si trupa e Shkupit, Durrësit dhe Tiranës.

“Është ndoshta një nga festat më të mëdha të Korçës. Ne kemi pasur 500 persona të veshur Karnaval”, u shpreh një pjesëmarrës.

“Atmosfera është e jashtëzakonshme. Po thoja sikur jam në një ëndërr dhe nuk po zgjohem dot”, tha një pjesëmarrës në karnavale.

“Nuk është nevoja thjesht të jem një “Karnaval”, por dua të përcjell diçka përmes veshjes time”, tha një tjetër.

Në ketë magji karnavalesh interesi i qytetareve ka qenë i jashtëzakonshëm. Jo vetëm fëmijë e të rinj, por dhe zonja e zotërinj kane rrëmbyer maskën për të shkrepur një kujtim në "Karnaval".

“Do jemi vit për vit në Korçë ne Kolonjarët”, tha një kolonjar. 

“Për mua është një kënaqësi shumë e madhe që të kthehet Karnavali në Korçë”, u shpreh një pjesëmarrës në karnaval.

I cilësuar si qyteti që di të festojë duke mos humbur traditën Karnavalet sollën në Korçë mijëra turiste, të cilët kanë ndjerë aromën e vërtetë të kësaj feste.

“Bukur, Korça bukur. Shqipëria është vendi më i mirë në botë për mua. Korça është e njohur për karnavalet dhe sot rastisa. Po më pëlqen mjaft”, tha një vizitor i Korçës.

Pjesëmarrja masive e turisteve duket se do të jetë një ogur i mbarë për sezonin veror në tërësi sepse kur në Korçë ka festë të gjitha rrugët të sjellin ne juglindje.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?