Magjia e operas! Ardita Bufaj dhe Xhovana Marku, Verdi në oboe dhe piano!

10 Prill, 18:22| Përditesimi: 10 Prill, 18:32

  • Share

Në hollin koncertor të Teatrit të Operas , mbrëmjen e së martës, “Përfytyrimi” për ndjesitë që provokojnë tingujt nis me “Mrikën”. 
Është një surprizë për të ftuarit interpretimi i aries së Prenk Jakovës në piano dhe oboe nga dy artistet, Ardita Bufaj dhe Xhovana Marku.


"Aria e 'Mrikës', është aria e operës së parë shqiptare, kështu që është pjesë shumë e rëndësishme e historikut të bukur të operave shqiptare që ne kemi, prandaj e zgjodhëm që të hapnim koncertin me të", thotë pianstja Ardita Bufaj.

Për pianisten, ky koncert shënon rikthimin në shtëpi. 

"Në këtë skenë të shenjtë kam punuar për 10 vjet si koncermaestër dhe pikërisht në këtë skenë lindi pasioni im për gjininë e bukur të operas", tregon më tej Bufaj. Nga e para operë shqiptare, rrugëtojnë përmes lojës së instrumenteve në tre kryevepra të Giuseppe Verdit “Un ballo in maschera”, “Rigoletto” dhe “La traviatta”.  "Giuseppe Verdi është babai i operës, ndaj ne vendosëm që të vinim tre pjesë nga tre opera të tij kaq të njohura edhe për publikun shqiptar, një ide që lindi në 210-vjetorin e kompozitorit italian", thotë më tej pianistja.


"Përshtatjet për oboe  dhe piano janë bërë nga një flautist dhe një oboist që jetuan në kohën e Verdit, të cilët me gjasa u frymëzuan nga buja që patën në atë kohë këto vepra. Dhe është ndjesi shumë e bukur që të sjellësh melodinë e kësaj muzike, fuqinë e dramacitetin e saj", thotë oboistja Xhovana Marku.


Me prezencën e lojën skenike, të artistes me oboe, Xhovana Markut, magjia e kompozitorit italian është e plotësuar.


"Kompozitorët veçanërisht Verdi i kanë dhënë vend gjithmonë oboes, në momente lirike, melankolike, kudo shoqëron ariet më të rëndësishme e sidomos momentet e dhimbjes më së shumti. Por, njëkohësisht oboe di të jetë dhe karizmatike. Kështu të gjithë këto karaktere së bashku ishin në pjesët që ne luajtëm sot", tregon oboistja Xhovana Marku.


Ndonëse në vendin tonë janë ende të rralla rastet e instrumentistëve që luajnë oboe, Xhovana ka arritur të krijojë emrin e saj, e të jetë pjesë e orkestrave të rëndësishme në vend dhe jashtë. Në këtë koncert, dy artistet, vijnë në harmoni në lojën e tyre interpretative. Janë njëherazi pedagoge në Universitetin e Arteve, dhe koncerte të tilla siç thonë, u shërbejnë edhe studentëve. 


"Është vërtetë emocion i madh, aq më tepër për studentët e katedrës së kantos ku unë jam pedagoge, për të njohur një repertor ndryshe, por edhe për t'i motivuar", shprehet Marku.


Zgjedhin t’i përshëndesin të ftuarit me një “Brindisi” nga ‘Traviata’ në këtë mbrëmje muzikore që bashkoi tre breza. 


"Ishte diçka shumë e këndshme loja e bukur e pianos dhe oboes", thotë muzikanti Robert Radoja. 


Koncerti “Përfytyrimi” do të interpretohet gjatë javës në vijim në Prishtinë.
 

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?