Magjistratët, PS me sytë nga LSI për 84 vota

14 Maj 2018, 15:02| Përditesimi: 14 Maj 2018, 15:56

  • Share

Ndryshimi i ligjit për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, propozuar nga dy deputetë të PS-së, Manja e Ferhati me qëllim emërimin e magjistratëve dhe pranimet e reja në radhët e tyre, kërkon 84 vota. 
PS nuk i ka e vetme këto vota, ndaj i duhet ndihma e deputetëve të opozitës. Ndryshimi ligjor kërkon që magjistratët që diplomohen në qershor të emërohen në pozicione si gjyqtarë nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, ndërsa si prokurorë nga Prokurorja e Përgjithshme, Arta Marku. 
Opozita mund të ketë rezerva për riaktivizimin e kompetencave për KLD-së që është në ditët e saj të fundit, e akoma më shumë me fuqizimin e prokurores së përgjithshme të përkohshme zgjedhur vetëm me votat e PS-së. 
Por ndërkohë është fakt se KLGJ e KLP që do të kryenin këto procese ende nuk janë formuar, e po ashtu, procesi i vettingut po boshatis gjykatat e prokuroritë, duke forcuar nevojën për personel të ri. 
Teksa PD e ka fokusin tjetërkund dhe nuk merr pjesë në Komisionet Parlamentare, PS hedh sytë nga LSI për të marrë votat e tyre. 
Kjo për dy arsye: LSI ka një qëndrim më të butë ndaj parlamentit, duke marrë pjesë në punimet e komisioneve, dhe së dyti, disa deputetë të LSI-së nuk kanë treguar së fundmi unitet me grupin e tyre parlamentar, duke qëndruar në parlament ndryshe nga sa ka urdhëruar Kryemadhi. 
E pyetur për këtë çështje, LSI nuk dha asnjë përgjigje përfundimtare për Report TV, por kjo parti konfirmon sërish gatishmërinë për të ecur përpara me reformën në drejtësi. 
Votimi i këtyre ndryshimeve ligjore do të testojë nëse flirtet individuale janë sporadike, apo do të konfirmohet hipoteza se ka një grup të konsoliduar deputetësh të LSI-së të cilët janë të gatshëm për të kaluar me PS-në. 

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?