Kronikë

Maja e Rrunës në Kukës vijon të digjet, helikopterët vijojnë ndërhyrjen nga ajri! Një vatër aktive edhe në Prrenjas, flakët 'përpijnë' pyjet e përfshira në UNESCO

17 Gusht 2021, 09:09| Përditesimi: 17 Gusht 2021, 21:45

  • Share

Flakët në Majën e Rrunës në Kukës vijojnë të mbeten aktive, ndërsa sot është bërë ndërhyrja për shuarjen e tyre nga helikopteri holandez. Përveç ndërhyrjes nga ajri, në terren janë angazhuar edhe 35 trupa të forcave ushtarake. Në këtë zonë zjarri ka djegur një sipërfaqe të konsiderueshme me pisha dhe ah, ndërsa nuk kemi ende një përllogaritje të saktë.

Situata paraqitet problematike edhe në Prrenjas të Elbasanit, ku ditën e sotme është aktivizuar një vatër zjarri. Sipas njoftimit nga Ministra e Mbrojtjes, flakët kanë përshirë një sipërfaqe pyjore që bën pjesë në UNESCO. Shuarja e flakëve në këtë zonë është pothuajse e pamundur nga forcat e zjarrfikëses për shkak të terrenit të vështirë.

Helikopterët holandez kanë bërë ndërhyrje ditën e sotme edhe në Malin e Tërbunit në Pukë, ku është bërë neutralizimi i zjarrit dhe në Thirrë të Mirditës. Dëmi nga flakët në Thirrë të Mirditës është shumë i madh, ku për pasojë janë shkrumbuar rreth 190 sipërfaqe pyjore.

"Lufta" me flakët si duket do të vijojë deri në fund të verës, deri kur të fillojnë shirat. Pavarësisht punës disa ditore, situata e zjarreve vijon të mbetet problematike, pasi sa shuhet një vatër ndizet një tjetër.

Ora 22:09
I vihet zjarri arave në Maliq, zjarrfikësja po punon për shuarjen e flakëve

Një zjarr masiv ka përfshirë një sipërfaqe tokash bujqësore (arë) pranë fshatit Vloçisht. Drejt zonës janë duke shkuar forcat zjarrfikëse për izolimin dhe shuarjen e zjarrit i cili fatmirësisht është larg zonës së banuar. Zjarri dyshohet i qëllimshëm nga fermerët që djegin tokat për mbjelljet e reja..

 

Ora 21:07
Situata me zjarret në vend, Ministria e Mbrojtjes: Aktivizohet një vatër në Prrenjas, po digjen pyjet e përfshira në UNESCO! Problematike situata në Majën e Rrunjës

Një vatër e re zjarri është aktivizuar në zonën e Prrenjasit, ku flakët kanë përfshirë sipërfaqe pyjore të cilat janë pjesë e UNESCO. Ministria e Mbrojtjes bën me dije se është pothuajse e pamundur shuarja e flakëve në këtë zonë nga forcat e zjarrfikëses për shkak të terrenit të vështirë.

Ndërkohë, problematike vijon të mbetet situata në Majën e Rrunës në Kukës. Për shuarjen e flakëve ka punuar gjatë ditës së sotme helikopteri holandez, por zjarri është i favorizuar nga era. Në terren janë angazhuar edhe 35 trupa të forcave ushtarake. Në Kukës ka edhe dy vatra të tjera aktive që po mbahen nën kontroll nga forcat zjarrfikëse. Ndërkaq, helikopteri tjetër holandez ka punuar gjatë ditës së sotme në Malin e Tërbunit në Pukë, ku flakët vijojnë të jenë aktive. Teksa në të gjithë qarkun e Shkodrës ka tre vatra të tjera jo problematike.

Në Thirrë të Mirditës, gjatë ditës së sotme ka punuar helikopteri holandez për neutralizimin e flakëve. Nuk paraqitet më rrezik për banesat, por si pasojë e flakëve janë djegur rreth 190 ha sipërfaqe pyje. Në bashkinë e Mirditës paraqitet problematike situata në fshatin Katund i Vjetër ku një sipërfaqe pylli ka marrë flakë, por rrezikohen banesa pasi është zonë e banuar. Ndërsa në fshatin Patelej të Lezhës janë neutralizuar flakët pas ndërhyrjes nga helikopteri çek.

Njoftimi i Plotë:

Qarku Shkodër:

1.Mali i Tërbunit, bashkia Pukë.

Vazhdon te jete aktive në pjesën veriore dhe në pjesën lindore ne Fushe Kumulli. Në terren janë angazhuar: 40 forca te FA, 60 forca te bashkisë. Helikopteri holandez ka operuar nga ajri duke ulur intensitetin e flakëve. Zjarri është favorizuar nga era. Nuk paraqitet rrezik për banesat.

2.Fshati Flet, njësia administrative Blerim, bashkia Fushë-Arrëz. Në terren janë angazhuar: 40 forca ushtarake te FA dhe 40 forca te bashkisë. Problem vazhdon te jete pjesa lindore e vatrës qe po avancon drejt kurorës se Fshatit Dardhe dhe Sakatit. Është e pamundur ndërhyrja nga toka. Si pasojë është përshkuar një sipërfaqe rreth 350 ha pyjore.

3.Midis fshatrave Lodërtune, njësia administrative Postribë dhe Mazrek, njësia administrative Guri i Zi, bashkia Shkodër. Në terren janë angazhuar: 60 forca te bashkisë po punojnë ne të dy zonat për te mbajtur ne kontroll situatën. Zjarri është favorizuar nga era dhe forcat po punojnë me mjete rrethanore për shkak të terrenit të vështirë.

4.Fshati Drisht, njësia administrative Postribë, bashkia Shkodër, zjarri ka perfshire një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Mbi 30 forca po punojnë pët shuarjen e zjarrit.

Qarku Lezhë:

1-Thirrë, njësia administrative Fan, bashkia Mirditë. Vatra e zjarrit ka një shtrirje shumë të madhe duke kaluar në fshatin Xhuxhë. Në terren janë angazhuar: 1 mjet zjarrfikës me 5 efektivë, 30 forca ushtarake dhe forca nga autoritetet lokale. Helikopteri holandez ka operuar nga ajri duke bërë të mundur largimin e zjarrit nga banesat. Si pasojë e flakëve është djegur një sipërfaqe rreth 190 ha.

2-Patalej, njësia administrative Kolsh, bashkia Lezhë. Në terren janë angazhuar: 1 mjet zjarrfikës me 3 efektivë, 25 forca ushtarake, rreth 20 forca nga autoritetet lokale si dhe vullnetarë. Ka vijuar ndërhyrja nga ajri me helikopterin çek dhe zjarri eshte drejt shuarjes përfundimtare. Si pasojë është djegur një sipërfaqe rreth 33.5 ha me shkurre dhe pemë.

3-Në fshatin Katund i Vjetër, Malung, njësia administrative Rubik, bashkia Mirditë, zjarri ka përfshire një sipërfaqe pylli dhe shkurre të dendura. Po punohet për shuarjen e zjarrit. Zona është e banuar dhe zjarri mund të jetë rrezik për banorët. Pranë banesave është dislokuar një mjet zjarrfikës.

Qarku Kukës:

1-“Maja e Rrunës”, ka zbritur zjarri me poshtë në vendin e quajtur Laku i Mollave dhe Laku i Thive, njësia administrative Malzi, bashkia Kukës. Zjarr në sipërfaqe pishë dhe ah. Zjarri është favorizuar nga era dhe helikopteri holandez ka punuar për shuarjen e tij, ndërkohë qe ne terren janë angazhuar 35 trupa nga FA dhe autoritetet lokale.

2-Rreth orës 15:05, në fshatin Dragobi, njësia administrative Margegaj, bashkia Tropojë, zjarri ka perfshire një zonë pyjore. Po punohet për izolimin dhe shuarjen e kësaj vatre.

3-Rreth orës 15:16, në afërsi të fshatit Golaj, njësia administrative Golaj, bashkia Has, ka rënë zjarr në një sipërfaqe pyjore. Po punohet për izolimin dhe shuarjen e kësaj vatre.

Qarku Dibër:

1-Kaçni, njësia administrative Selishtë, bashkia Dibër. Po punohet për izolimin dhe shuarjen e kësaj vatre. Zjarri vazhdon me intensitet mesatar. Nuk ka rrezik për banesat.

Qarku Vlorë:

1.Më datë 17.08.2021. ora 11:15, në fshatin Kallarat, njësia administrative Hor Vranisht, bashkia Himarë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Shërbimi vendor i MZSH të bashkisë Himarë ka dërguar në vendngjarje 1 mjet zjarrfikës me 3 efektivë. Është drejt shuarjes.

Qarku Korçë:

1.Më datë 17.08.2021. ora 14:45, zjarri ne vreshtë ne Leskovik, ne pronësi te Shtetasit A. G. Po punohet për izolimin dhe shuarjen e kësaj vatre.

Qarku Durrës:

1.Më datë 17.08.2021. ora 14:45, në fshatin Barkanesh, bashkia Krujë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Po punohet për izolimin dhe shuarjen e kësaj vatre.

2.Më datë 17.08.2021, ora 17:10, në fshatin Maskuri, njësia administrative Rrashbull, bashkia Durrës, ka rënë zjarr në sipërfaqe me shkurre, ferra dhe ullinj. 3 mjete dhe 9 efektivë, të cilët po punojnë për të vënë zjarrin nën kontroll.

Qarku Elbasan:

1.Më datë 17.08.2021, ora 17:00, në njësinë administrative Rrajcë, bashkia Prrenjas, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre, ferra dhe pyje. Zjarri ka marrë përmasa dhe këto pyje janë të përfshira në UNESCO, si dhe kanë një rëndësi të veçantë. Mjetet dhe forcat, të cilat janë nisur për këtë operacion e kanë të pamundur shuarjen e tij, pasi është terren i vështirë, por janë duke punuar në zonën ku mund të preken banesat.

2.Më datë 17.08.2021, ora 17:45, në fshatin Fatishe, njësia administrative Përparim, bashkia Peqin, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Po punohet për izolimin dhe shuarjen e kësaj vatre.

Qarku Gjirokastër:

1.Më datë 17.08.2021, ora 19:00, në fshatin Lab Maralloz, njësia administrative Lopës, bashkia Tepelenë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Po punohet për izolimin dhe shuarjen e kësaj vatre.

Ora 18:20
Aktivizohet një vatër zjarri në Peqin, rrezikohen varrezat e qytetit

Një vatër zjarri është aktivuar ditën e sotme në Peqin. Siç shihet edhe nga pamjet e siguruar nga Report Tv, flakët kanë përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme. Ndërsa bëhet me dije se zjarri është pak metra larg varrezave publike të qytetit të Peqinit. Nga flakët janë përfshirë edhe mijëra rrënjë ullinj shekullorë.

Ora 10:50
Zjarr tek muri rrethues i Gardës te kodrat e Liqenit Artificial, ndërhyrja e zjarrfikësve shuan flakët

1629190252_zjarri.jpg

Një zjarr ka rënë tek muri rrethues i Gardës së Republikës tek kodrat e Liqenit Artificial vetëm para pak minutash. Shërbimet zjarrfikëse dhe ushtarët e gardës kanë ndërhyrë menjëherë dhe kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve.

Ora 09:45
Vijon të jetë aktive vatra e zjarrit në Molung të Mirditës, flakët nuk përbëjnë rrezik për zonën e banuar

Vijon që të jetë aktiv zjarri në zonën e Molungut në Mirditë. Fatmirësisht flakët nuk përbëjnë rrezik për zonën e banuar. Forcat e ushtrisë po punojnë pa ndërprerje për shuarjen e flakëve, ndërsa paraditen e sotme pritet që të ketë ndërhyrje me helikopter nga ajri.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?