Kronikë

Në Molung të Mirditës rrezikohen banesat, evakuohen disa familje! Zjarri përhapet në Majën e Rrunës, helikopteri bën vetëm dy rrugë për të shuar flakët! Arrestohen 2 'piromanë'

16 Gusht 2021, 08:56| Përditesimi: 16 Gusht 2021, 19:30

  • Share

KUKËS- Zjarri vijon të përpijë dhjetëra hektarë tokë në majën e Rrunës në Kukës, ku prej disa ditësh kjo vatër vijon të jetë aktive dhe shumë problematike. Ndonëse në terren janë angazhuar forca zjarrfikëset, punonjës të pyjores dhe të komunitetit, zjarri nuk është shuar ende. Edhe pse situata është problematike, helikopteri sot ka mundur të bëjë vetëm dy rrugë për të shuar flakët, ndërsa era favorizon flaket

"Situata e zjarrit të rënë në Maja e Rrunës Nj.Ad Malzi bashkia Kukës vazhdon të jetë problematike me gjithë punën e bërë nga forcat e angazhuara nga bashkia Kukës dhe forcat e DMR-së Kukës. Sot nga bashkia janë angazhuar 10 forca të MZSH-së, 6 punonjës të pyjores dhe Nj.Ad Malzi, 4 nga komuniteti dhe 15 forca të DMR-së Kukës. Në pritje për helikopter", thuhet në njoftimin zyrtar të Komisionit të Mbrojtjes Civile Prefektura Kukës.

Ndërkohë, situata paraqitet problematike edhe në Mirditë. Në fshatin Molung, flakët u janë afruar banesave dhe ka nisur evakuimi i disa familjeve, ndërsa në rrezik është edhe fshati turistik "Katund i Vjetër". Në terren ndodhen forcat e ushtrisë dhe zjarrfikësit të cilët po punojnë për të shmangur rrezikun.

Përmes një njoftimi për mediat ministria bën me dije se 42 efektivë të  FA dhe rreth 30 forca te pushtetit vendor po punojnë për vatrat e zjarrit në fshatin Flet në bashkinë e Fushë-Arrëzit dhe në fshatin Dardhë të Pukës ku situata është delikate dhe po punohet nga ajri me helikopterin tonë për ta izoluar. Në fshatin Thirrë aktualisht situata është më e qetë dhe punohet për vënien nën kontroll të vatrave, ndërkohë vijon sërish operacioni nga toka dhe ajri. Ndërkohë një vatër zjarri është aktivizuar edhe në vendin e quajtur kodrat e Divjakës pranë parkut Kombëtar Divjakë.

"Lufta" me flakët si duket do të vijojë deri në fund të verës, deri kur të fillojnë shirat. Pavarësisht punës disa ditore, situata e zjarreve është problematike në disa vatra në veri të vendit. Aktualisht situata është nën kontroll, ndërsa në terren ndodhen zjarrfikësit, ushtria dhe shërbimi pyjor.

 

Ora 19:10
Situata me zjarret në vend, MM: Po punohet për shuarjen e flakëve në nga toka dhe ajri! Është aktivizuar një vatër pranë parkut Kombëtar në Divjakë

Ministria e Mbrojtjes ka reaguar në lidhje me situatën e zjarreve në vend. Situata është problematike në zonën e malit të Tërbunit në Pukë ku rrezikon që të digjet kurora e qytetit. Forcat zjarrfikëse po punojnë për të mbajtjen nën kontroll të situatës. Po ashtu vatrat vijojnë që të mbeten aktive edhe në Fushë-Arrëz, Maja e Rrunës, në Dibër në fshatin Kaçni. Po ashtu një vatër zjarri është aktivizuar edhe në vendin e quajtur kodrat e Divjakës pranë parkut Kombëtar Divjakë.

Përditësimi i situatës së zjarreve ne vend

Zjarri në Malin e Tërbunit në Pukë, vazhdon të jetë problematik. 50 efektivë të FA, 12 zjarrfikës, 8 punonjës të shërbimit pyjor, 20 vullnetarë po punojnë  për mbajtjen në kontroll te situatës që të mos rrezikohet kurora e qytetit te Pukës.

Në fshatin  Flet, në  Fushë Arrëz situata është vënë në kontroll ndërsa në fshatin Dardhë situata paraqitet më problematike për shkak të  bimësisë së dendur.

Është riaktivizuar vatra e zjarrit ndërmjet  fshatrave Drisht, Mazrek, Lundertune dhe Rragam në njësinë administrative Guri Zi dhe Pobtribe duke e kthyer këtë zonë me 3 vatra zjarri.

25 trupa nga  FA dhe 30 forca të tjera të pushtetit vendor kanë ndihmuar që situata në fshatin Patale në Lezhë të paraqitet e përmirësuar. Ndërsa në Mirditë, zjarri zhvillohet me intensitet të ulët.

Në vatrën e zjarrit në fshatin Thirrë, ka vijuar puna në terren nga 40 trupa të FA dhe 14 nga strukturat vendore. Nga ajri po kryen ndërhyrje me helikopterin holandez.

Vatra e zjarrit në “Majën e Rrunës”,  vazhdon të jetë problematike. Në terren po punojnë 15 trupa nga FA dhe 20 forca nga strukturat vendore. Situata është e vështirë për shkak të terrenit të thyer.

Zjarri ne fshatin Kaçni, njësia administrative Selishtë në Dibër, vazhdon të jetë aktiv në një sipërfaqe pyjore në terren të vështirë . Sot në terren po punojnë janë 15 trupa nga FA dhe 18 forca nga strukturat vendore.  Sipas vlerësimit të punës së bërë në terren mendohet qe deri në fund të ditës së sotme të arrihet të bëhet izolimi i vatrës.

Vatër zjarri është aktivizuar në Gurin e Nikës në Pogradec; në vendin e quajtur kodrat e Divjakës pranë parkut Kombëtar Divjakë; në fshatin Fushë Arrëz në Luftinjë si dhe në fshatin Kamican në Elbasan ku për të gjitha vatrat po punohet për mbajtjen nën kontroll të situatës.

Ora 18:56
Zjarri përhapet në Majën e Rrunës, helikopteri bën vetëm dy rrugë për të shuar flakët! E pamundur të ndërhyhet nga toka

Ndërkohë që zjarri në Majën e Rrunës vijon të jetë aktiv dhe  agresiv duke djegur pyjet dhe bimësinë, duke e bërë të domosdoshme ndërhyrjen nga ajri.

Thuajse çdo ditë ka pasur ndërhyrje nga ajri për shuarjen e flakëve në Majën e Rrunës, pasi ndërhyrja nga toka është e pamundur. Por sot Prefektura Kukës shprehet se sot është ndërhyrë dhe nga ajri vetëm dy hedhje uji me Helikopter.

Si rezultat i situatës së vatrës së zjarrit dhe terrenit të vështirë duhet patjetër një angazhim nga ajri për të bërë të mundur izolimin e saj, pasi terreni është shumë i vështirë për të operuar me forca tokësore.  

Ora 12:14
Ndezën zjarr në tokat e tyre, por situata u doli jashtë kontrollit, arrestohet 2 'piromanët' në Lezhë e Maqellarë

Dy persona janë arrestuar pasi akuzohen për zjarrvënie të qëllimshme. Bëhet fjalë për një person në Maqellarë, si cili në tokën e tij ka ndezur zjarr e si pasojë zjarri ka dalë jashtë kontrollit duke djegur një sipërfaqe toke tjetër me barishte.

E ndërsa i arrestuari tjetër është në Lezhë, në fshatin Zejmen. Nga sa Report Tv mëson, në pranga ka rënë M., 67  vjeç, banues në fshatin Zejmen, Lezhë. Ai ka ndezur zjarr në afërsi të banesës së tij, për djegien e mbeturinave, e më pas zjarri ka dalë jashtë kontrollit duke djegur një sipërfaqe me barishte dhe peme në kodrën e fshatit.

Autorët e djegies së bimësisë dhe pyjeve nga veriu në jug po shkojnë drejt hekurave. Ndërsa vendi po përballet me flakët prej ditësh, nga data 25 korrik deri sot, në të gjithë vendin janë arrestuar 19 "piromanë", nën hetim janë vënë 17 persona ndërsa janë shpallur në kërkim 5 të tjerë.

Kodi Penal në fuqi parashikon një gamë ndëshkimesh deri në 20 vite burg për autorët e djegies së qëllimshme të pyjeve dhe bimësisë nga Jugu në Veri të Shqipërisë.   Konkretisht, neni 206/a i Kodit Penal, ndryshuar për herë të fundit në vitin 2013, parashikon 5 deri në 8 vite burg për shkatërrimin me dashje përmes zjarrit, të fondit pyjor dhe të çdo njësie të ngjashme me të, me pasoja të rënda materiale. Kur zjarrvënia është kryer me qëllim ndryshimin e kategorisë dhe destinacionit të tokës, nga pyll në kullotë, truall etj., parashikohet një dënim me burg nga 5 deri në 15 vjet. Ndërkaq, kur vënia e zjarrit të qëllimshëm ka shkaktuar pasoja të rënda për pronën, shëndetin ose jetën e njerëzve apo dëme të rënda dhe të zgjatura në kohë ndaj mjedisit, dënohet nga 10 deri në 20 vjet burg. 

Ora 11:22
Zjarret, ‘Mbrojtja’: Problematike situata në Majën e Rrunës në Kukës dhe në Dardhë të Pukës! Aktive disa vatra në vend

Një nga vatrat e zjarrit më problematike në vendin tonë vijon të jetë Maja e Rrunës. Sipas ministrisë së Mbrojtjes një tjetër vatër është shfaqur në Malin e Tërbunit ku flakët janë përhapur prej erës.

Përmes një njoftimi për mediat ministria bën me dije se 42 efektivë të  FA dhe rreth 30 forca te pushtetit vendor po punojnë për vatrat e zjarrit në fshatin Flet në bashkinë e Fushë-Arrëzit dhe në fshatin Dardhë të Pukës ku situata është delikate dhe po punohet nga ajri me helikopterin tonë për ta izoluar. Në fshatin Thirrë aktualisht situata është më e qetë dhe punohet për vënien nën kontroll të vatrave, ndërkohë vijon sërish operacioni nga toka dhe ajri.

Postimi i ministrisë së mbrojtjes:

Vijon pa u ndalur puna për shuarjen e zjarreve në vend. Aktualisht po punohet për vatrën e shfaqur në anën tjetër të Malit të Tërbunit e cila është zhvilluar nën ndikimin e erës. 42 efektivë të  FA dhe rreth 30 forca te pushtetit vendor po punojnë për vatrat e zjarrit në fshatin Flet në bashkinë e Fushë-Arrëzit dhe në fshatin Dardhë ku situata është delikate dhe po punohet nga ajri me helikopterin tonë për ta izoluar.

Në fshatin Thirrë aktualisht situata është më e qetë dhe punohet për vënien nën kontroll të vatrave, ndërkohë vijon sërish operacioni nga toka dhe ajri. Në qarkun e Lezhës ditën e djeshme është arritur 60% e izolimit te vatrave ndërsa në bashkinë e Mirditës, vatra e zjarrit është me intesitet të ulët. Në “Majën e Rrunës“ situata e vatrave të zjarrit vazhdon të jetë problematike. Terreni i vështirë nuk e ka ndaluar punën e efektivëve  të cilët vijojnë edhe sot të punojnë nga toka për vënien nën kontroll të disa prej vatrave. Në fshatin Kaçni në Dibër, gjatë natës zjarri është zhvilluar në dy vatra dhe falë punës së efektivëve është mundësia që deri në fund të ditës së sotme të izolohet.

B.K.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Kjdjj: 16/08/2021 17:25

    Vet i kan ndez, le te digjen si minj.

    Përgjigju
    • Arben: 17/08/2021 06:36

      Karagjoz

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?