Muaji maj, shënon kulmin e sezonit në llixhat kurative të Treganit, në Elbasan.
Qindra pacientë zgjedhin kurimin e disa problemeve shëndetësore nga vetitë kurative të ujërave termale. Më besnikët janë shqiptarët nga Kosova, të cilët vijnë në llixha dy herë në vit.
Shumë prej tyre tregojnë se kanë përmirësime të ndjeshme të gjendjes shëndetësore.
“Jemi të kënaqur, vijmë këtu prej vitesh” thotë një qytetare kosovare.
Ndërsa një tjetër që ka ardhur bashkë me gruan e tij shprehet:
“Kemi gjetur hajër këtu dhe Zoti e bëri sebep, vij prej të paktën 10 vitesh kët rregullisht dy herë, në shtator dhe maj”.
Zona e llixhave në Elbasan, ka njohur rritje të interesit dhe sektori privat ka shtuar ofertën në akomodim, por mbetet shqetësim mungesa e një qendre të mirëfilltë shëndetësore.
“Këtu ka pasur më parë një qendër, një ambulancë, ka nevojë që të jetë se vijnë shumë kosovarë, pse të shkojnë në Elbasan”, shprehet një prej pacientëve.
“Madje të ketë edhe një farmaci përveç qendrës shëndetësore që duhet”, thotë një prej banorëve të zonës.
Infrastruktura e amortizuar dhe ndotja e zonës ku ndodhen llixhat evidentohet si problematikë nga pacientët. Çdo vit, mbi 10 mijë persona frekuentojnë llixhat e Elbasanit.
Të pasura me sulfate dhe lëndë minerale, ujërat termalë, mund të zvogëlojnë shqetësimet nga reumatizma, problemet me lëkurën apo sistemin nervor. Shqipëria është e bekuar me shumë burime të ujërave termalë, një mundësi e artë për turizmin shëndetësor.
Komente
