Majlinda Bregu dhe Jorida Tabaku

Majlinda Bregu ironizon Alibeajn: Logoja apo vula s'të bën kryetar! Frika ime më e madhe ishte vetëshkatërrimi i PD, gjë që po ndodh

3 Prill 2023, 17:42| Përditesimi: 3 Prill 2023, 18:30

  • Share

Majlinda Bregu ishte pjesë e mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Integrimit në cilësinë e sekretares së përgjithshme. Teksa në fokus të takimit ishte procesi i Berlinit dhe tregu i përbashkët rajonal, Bregu komentoi edhe rikthimin e saj në Kuvend rreth 6 vite pas përfundimit të mandatit të deputetes.

“Në fakt, procesi i Berlinit ka nisur në 2014, kur unë isha kryetare e Komisionit të Integrimit dhe vazhdon pavarësisht se çfarë fati ka karriera e secilit prej nesh. Por duke qenë se institucioni që unë drejtoj është një nga institucionet kyç për menaxhimin e axhendës në procesin e Berlinit, më vjen mirë që u riktheva”, tha ajo në një dalje për mediat.

Majlinda Bregu, një prej figurave më të rëndësishme të PD thotë se pas largimit që u bë pa dëshirën e saj, ishte e frikësuar se partia do të pësonte procesin e vetëshkatërrimit.

“Nuk e di, nëse më pyet që jam e habitur, jam e tronditur apo jam e përgatitur; unë të them që isha e përgatitur. Sepse të paktën në momentin që unë jam larguar, jo me dëshirën time nga Partia Demokratike, fatkeqësisht leximi se çfarë do të vinte më pas ishte shumë i qartë. Dhe ju më mbani mend shumë mirë se kemi qenë bashkë të gjithë në ato kohë kur frika më e madhe ishte që partia do të kalonte në proces vetëshkatërrimi, gjë që ka ndodhur sot. Kështu që se një ditë mali sapo mbarset pjell një mi, apo në ditën tjetër ka një ngjyrim më të madh, në fund të ditës rezultati është fatkeqësisht ky që shihni të gjithë”, tha Bregu.

Bregu pati një mesazh të qartë për Lulzim Bashën dhe Enkelejd Alibeajn që morën dhuratë një parti, të cilën nuk ditën të bëjnë asgjë veçse ta shkatërrojnë.

“Deri diku besoja se ai shembulli i keq i dhënë në momentin kur Lulzim Basha mori një parti dhuratë dhe nuk diti ta menaxhonte, përveçse e shkatërroi, do të ndalej me të, por mesa duket nuk u ndal. Domethënë partia dhuratë që mori Lulzim Basha i shkoi dhuratë Enkelejd Alibeajt dhe ja ku jemi. Nuk të bën logoja kryetar, sikurse nuk të bën kryetar as vetëm vula. Por ky nuk është problemi kryesor, nuk është problemi për të gjetur fajtorin sot, nuk është problemi për t’i thënë dikujt ti nuk je i zoti, apo pse u katandis partia me 11 kandidatë. Problemet janë aq të mëdha në PD, të strukturuara vit pas viti, sa sot është tërësisht e vështirë dhe fatkeqësisht mesa duket do të duhet të bëhet ende më keq për t’u bërë nesër më mirë”, u shpreh Bregu.

Ndërsa kryetarja e Këshillit Kombëtar të Integrimit, Jorida Tabaku tha se mbledhja e sotme kishte në fokus procesin e Berlinit, të cilin thotë se PD e ka mbështetur.

“PD e ka mbështetur procesin e Berlinit, ka mbështetur të gjithë rolin që ky proces duhet të ketë por njëkohësisht edhe rritjen e rëndësisë për Rajonin tonë, jo si një zëvëndësues i procesit të integrimit por si një element shtesë që na ndihmon që në këtë proces disa arritje të vogla ti fillojmë që sot, pavarësisht datave që nuk vinin, pavarësisht rezultateve në procesin e negociatave që nuk vinin.

Ngritja e këtij Këshilli Kombëtar të Integrimit, rritja e rolit të parlamentit në procesin e integrimit, ngritja e strukturave negociuese nga njëra anë, por nga ana tjetër edhe rritja e rolit të parlamentit në këtë proces dhe dhënia e rolit parlamentar kanë qenë disa elementë që na kanë shoqëruar gjatë viteve të fundit. Unë e di që politika dhe qytetarët shqiptarë i duan rezultatet sot, I presin menjëherë, por ky proces përveçse na teston pak durimin na i vendos rezultatet edhe në mënyrë sfiduese dhe të shpërndara në kohë”, tha Tabaku.

Tabaku shton se duhet të ketë një përgjigje konkrete se cilat janë sfidat e tjera në institucionet e qeverive të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Pas samitit të fundit të zhvilluar në Tiranë por njëkohësisht atij të zhvilluar në Berlin, unë dua të përgëzoj Bregu për firmosjen e marrëveshjeve të cilat e vendosin këtë proces edhe në një prizëm tjetër, por vendosin edhe sfida të tjera në institucionet e qeverive të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Por, konkretisht cilat janë këto sfida?

Cilat janë sfidat për sa i përket tregut të përbashkët?

Çfarë duhet të bëjmë ne nga pikëpamja e klimës së biznesit, që unë mendoj se duhet të jetë një nga elementët kryesore ashtu sikurse Këshilli I Bashkëpunimit Rajonal ka theksuar nxitjen e bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor.

Nga ana tjetër firmosja e marrëveshjeve të roaming-ut, kur do të jenë elementët e parë të përfitimit nga qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor?

Sa janë gjasat që ky ishull të fillojë dhe të zgjerohet dhe të vazhdojë me përfitime konkrete pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes me vendet e Bashkimit Europian?” – tha Tabaku.

Tabaku tha se pyetjet që ka ngritur pret të jenë temë diskutimi nga përfaqësuesit.

Komento

Komente

  • Labi nga durresi: 28/04/2024 11:44

    Po per Prudentinon car mund te na thote zonja Bregu OSE ME SAKTE CAR KA ME THENE E DJATHTA SHQIPETARE BESOJ QE DIN DICKA PER GJITH ATO VITE QE JETOI NE SHQIPERI.........

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?