Makarona furre me fileto pule dhe kërpudha nga Zonja Vjollca

4 Maj 2020, 10:33| Përditesimi: 4 Maj 2020, 10:48

  • Share

Makarona furre me fileto pule dhe kërpudha

Përbërësit:

500 gr makarona

2 lugë gjelle vaj

1 qepë e vogël

350 gr fileto pule

300 gr kërpudha

Kripë dhe piper i zi

Majdanoz

250 gr mozzarella

Beshameli:

50 gr gjalp

50 gr miell

500 ml qumësht

Kripë dhe arrëmoskat

2 lugë gjelle parmixhan i grirë

Përgatitja:

Fillimisht vendosim një tenxhere me ujë të bollshëm për të valuar. Shtojmë në të pak kripë, 1 lugë gjelle vaj dhe makaronat. I ziejmë ato 3 minuta më pak se koha e shkruar në etiketë.

Ndërkohë në një tigan salce përgatisim beshamelin.

Kaurdisim së bashku 50 gr gjalp dhe 50 gr miell, shtojmë 500 ml qumësht dhe e lëmë të ziejë duke e trazuar vazhdimisht. E largojmë dhe shtojmë kripë dhe arrëmoskat.

Në një tigan të thellë vendosim 2 lugë gjelle vaj, qepën të grirë imët të cilën e kaurdisim derisa të bëhet transparente. Shtojmë fileton e pulës të prerë në kubikë të vegjël, i kaurdisim së bashku derisa mishi të zbardhet dhe të ketë përthithur lëngun e tij. Shtojmë kërpudhat dhe i përziejmë ato sa të skuqen pak. Shtojmë kripë, piper të zi, majdanoz dhe beshamelin.

Vazhdojmë përzierjen për 5 minuta. Kullojmë makaronat, i shtojmë në tigan dhe i përziejmë sërish të gjithë përbërësit.

Lyejmë tavën me pak gjalp dhe shtojmë në të ½ e përzierjes me makarona. Shpërndajmë në të 1 topth mozzarella në kubikë të vegjël, shtojmë pjesën e mbetur të makaronave dhe përsëri shpërndajmë një topth tjetër mozzarella në kubikë. Pudrosim sipër me parmixhan të grirë dhe e vendosim tepsinë në furrë në temperaturë 200 gradë, për 20-25 minuta.

D.M./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?