Urbanizimi i madh në kryeqytet ka sjellë nevojën për të krijuar mënyra alternative lëvizjeje, për të ndikuar dhe në përmirësimin e cilësisë së ajrit. Bashkia e Tiranës ka ndërmarrë disa nisma green, ndër to dhe përdorimi i makinave elektrike. Me rritjen e numrit të përdoruesve të biçikletave, në terren është angazhuar dhe policia rrugore, që vetëm në 24 orët e fundit ka gjobitur 36 drejtues biçikletash.
Makinat elektrike mbrojnë mjedisin, prandaj përdorimi i tyre do t'i bëjë banorë e kryeqytetit të marrin ajër të pastër shprehet për Report Tv Diana Mile, drejtoreshë e Politikave dhe Edukimit Mjedisor.
“Në Tiranë janë duke u shtuar akoma edhe më shumë korsitë e biçikletave, ne kemi parë që edhe njerëzit e kanë gjetur si mënyrë më të mirë lëvizje. Jemi munduar të ndërgjegjësojmë njerëzit se sa shumë ndikon përdorimi i tepruar i makinës në zonat e qendrës. Përveç taksive elektrike, së fundmi jemi duke bërë një plan ose një fushatë ndërgjegjësimi që njerëzit të mund të përdorim edhe makinën elektrike si një opsion alternativ për të realizuar lëvizjen e tyre në qytet”, u shpreh Diana Mile.
Përshtatja e infrastukturës ka qenë një pjesë e rëndësishme për të organizuar mënyra alternative të transportit në kryeqytet.
Në Tiranë është rritur ndjeshëm numri i përdoruesve të dyrrotakëve, kjo dhe prej shtimit të korsive të biçikletave. Por njëherësh vihet re edhe rënia e ndërgjegjësimit të tyre duke mos respektuar sinjalistikën përkatëse. Shkeljet kanë detyruar policinë rrugore të gjobisë për here të parë 36 drejtues biçikletash. Gjoba varion nga 250-1000 lekë.
Diçka e tillë ndodh pasi shumë drejtues biçikletash preferojnë të qarkullojnë në korsitë e lëvizjes së automjeteve duke u kthyer në një rrezik për veten dhe përdoruesit e rrugës në tërësi.