Kultura

Maks Velo “dëshmon” diktaturën, ekspozohet dosja hetimore! Ekspozita në 5-vjetorin e vdekjes së arkitektit e artistit

7 Maj, 11:47| Përditesimi: 7 Maj, 12:44

  • Share

I përndjekur nga regjimi dhe i dënuar me 10 vite burgim për agjitacion e propagandë, historia e Maks Velos vjen e rrëfyer në një ekspozitë të veçantë me rastin e 5-vjetorit të ndarjes së tij nga jeta. “Maks Velo dëshmon diktaturën” bën publike për herë të parë në formë origjinale, dosjen hetimore të artistit dhe arkitektit, në shtëpinë Kadare, të projektuar prej tij.

“Kjo është godina mbase më personifikuese e gjithë krijimtarisë së tij.  Jemi në apartamentin e shkrimtarit Ismail Kadare, një projekt ndryshe nga të gjithë apartamentet e tjera të kësaj ndërtese dhe autori i projektit është Maks Velo.  Maks Velos nuk ka nevojë t’i bëjmë drejtësi publike, se ai vendosi me forcë të jashtëzakonshme të brendshme që drejtësinë publike për çfarë i kishin bërë gjithë jetën, ta bënte po vetë. E deklasifikoi vetë dosjen e tij dhe vendosi ta botonte. Vendosi vetë, që çdokush që ka thënë fjalë kundër tij ta publikonte vetë, gjë që e ka bërë në librin ‘Maks Velo-Jeta Paralele’, por e rëndësishme është që publiku të shohë vetë dokumentet origjinale.”, - thotë Anisa Ymeri, drejtuese e shtëpisë-studio Kadare.

Disa dokumente nga dosja e përndjekjes, dosjes hetimore dhe dënimit të Maks Velos, të ofruara me rregullat e ruajtjes dhe anonimatit, vihen në dispozicion të publikut nga Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit, për qëllime ekspozimi e edukimi, të përzgjedhura për të reflektuar mbi përvojën e artistit gjatë diktaturës.

“Bëhet fjalë për dy dosje të rëndësishme që lidhen me jetën publike e private të artistit: dosja formulare 11/705 me 235 faqe dhe dosja hetimore gjyqësore prej 57 faqesh. Dokumentet përmbajnë survejimin e pandërprerë, raportime të agjentëve për pasojat në jetën profesionale e personale të artistit: largimi nga puna, dëbimin dhe përpjekjet për ta thyer shpirtërisht.”, - shprehet Altin Hoxha, anëtar i AIDSSH-së (Autoriteti i Dosjeve).

Në këto dokumente njerëzit mund të njihen me realitetin e dhimbshëm të artistit gjatë viteve të komunizmit, kur mes atyre që dëshmuan kundër tij kishte bashkëpunëtorë të rekrutuar nga rrethi i tij shoqëror apo denoncime familjare, ndërsa pati edhe presion për bashkëpunim me sigurimin, që Velo e refuzoi.

Maks Velo u dënua në vitin 1978 me 10 vite burg për agjitacion e propagandë dhe u lirua në janar 1986. Ndër akuzat që rëndonin mbi të ishte përdorimi i gjuhëve të huaja, leximi i literaturës reaksionare, ndikimi prej filozofisë perëndimore, admirimi për artistë, si: Picasso, Renuar etj. dhe u akuzua për formalizëm të theksuar, që për regjimin përbënte kërcënim.

Për Velon, survejimi nisi që në vitin 1973, ku u përfshi në listën e grupit antiparti të Fadil Paçramit e Todi Lubonjës, por kjo dosje është asgjësuar. Gjurmë të përndjekjes së Maks Velo duken edhe në dokumentet e regjimit të për Todi Lubonjën.

 

B.G/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se zgjedhjet do ndikojnë në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së?