Ministri i Financave, Petrit Malaj, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave, Genti Gazheli, zhvilluan një vizitë inspektimi në Degën Doganore Rinas, në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, në kuadër të masave që po ndërmerren nga insitucionet shtetërore për mbarëvajtjen e sezonit turistik veror.
Referuar të dhënave, Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” TIA ka përballuar gjatë vitit 2024 një fluks (në hyrje - dalje) prej 10.7 milion pasagjerë, ndërkohë që pritshmëritë janë që në vitin 2025 ky numër të shkojë deri në 12 milionë pasagjerë.
Gjatë kësaj vizite, Ministri Malaj u shpreh se turizmi është një nga sektorët kyç për zhvillimin ekonomik të vendit tonë dhe kontribuon me rreth 25 % në Prodhimin e Brendshëm Bruto, ndërsa punëson në mënyrë direkte apo indirekte rreth 10 % të fuqisë punëtore në vendin tonë.
Rritja e numrit të udhëtarëve në aeroportin “Nënë Tereza”, tha Malaj, tregon se Shqipëria tashmë është një destinacion i konsoliduar turistik, ashtu sikurse tregon edhe kapacitetet e vendit për të proceduar këtë numër udhëtarësh.
Në këtë kuadër, Malaj tha se objektiv primar duhet të jetë garantimi i procesimit të shpejtë të udhëtarëve dhe zbatimi me përgjegjshmëri i kontrollit dhe procedurave doganore, si për udhëtarët, ashtu edhe për biznesin.
“Kemi objektivin e parë për të garantuar përshpejtimin dhe procesimin e shpejtë të udhëtarëve, duke pasur parasysh se kemi një numër udhëtarësh gjithnjë e në rritje. Por nga ana tjetër, paralelisht, duhet të të garantojmë që të kemi nivelet e nevojshme të kontrollit përsa i përket zbatimit të procedurave doganore qofshin këto për udhëtarët, qofshin këto edhe për bizneset. Keni mbështetjen maksimale, pra të gjitha strukturat që janë këtu, përsa i përket rritjes së cilësisë së shërbimit që ofrohet nga ana e autoriteteve doganore, duke pasur parasysh që kjo është porta kryesore hyrëse e turistëve, por dhe kontakti i parë që ata kanë me Shqipërinë”, u shpreh Malaj.
Nga ana e tij, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Genti Gazheli, u shpreh se autoritetet doganore janë tashmë në gatishmëri të plotë për të përmbushur detyrimet përkatëse në degën Doganore të Rinasit.
“Fluksi i pasagjerëve ka patur një rritje eksponenciale jo vetëm gjatë sezonit veror, por edhe gjatë gjithë vitit. Në fillim të muajit qershor, numri ka vajtur edhe rreth 44 mijë pasagjerë brenda ditës, numri i fluturimeve gati 250 ulje-ngritje që është fillimi i sezonit dhe mendojmë se edhe në ditët në vijim do të ketë një rritje të numrit të pasagjerëve dhe të numrit të fluturimeve. Shërbimi është 24/7, punohet me tre turne pa ndërprerje dhe në funksion të garantimit të asaj që sapo u tha, etika doganore është prioriteti numër një”, u shpreh Gazheli.
Në funksion të forcimit të kontrollit Doganor dhe rritjes së efikasitetit operacional, në ndihmë të Degës Doganore Rinas janë në përdorim tre pajisje skanimi, të cilat administrohen dhe menaxhohen nga Sektori Operacional. Këto pajisje janë të vendosura neTerminalin CIP, në terminalin e mbërritjes së pasagjerëve si dhe një skaner me funksion parandalues, i pozicionuar në një pikë të përcaktuar strategjikisht brenda Aeroportit. Përdorimi i këtyre pajisjeve është thelbësor për identifikimin e mallrave të padeklaruara, të ndaluara apo me rrezik të lartë, duke përforcuar ndjeshëm kapacitetet e kontrollit në kohë reale të degës doganore.
Komente
