MALËSI E MADHE - Dy persona janë vënë në pranga nga policia pasi kishin kultivuar bimë narkotike në fshatin Selcë të Malësisë së Madhe.
Si rezultat i megaoperacionit ‘Territor i pastër’ u vunë në pranga Durim Rama, 57 vjeç në Elbasan dhe Sajmir Kacoli, 39 vjeç banues në fshatin Hot.
Durim Rama ishte shpallur në kërkim më herët më 3 korrik 2024, për kultivimin e kanabisit në Selcë, bëhet fjalë për 2464 bimë narkotike kanabis sativa, kurse Sajmir Kacoli u identifikua gjatë hetimit 1 mujor proaktiv.
'Në vijim të veprimeve operacionale dhe hetimore, të kryera në kuadër të megaoperacionit “Territor i pastër”, Seksioni për Hetimin e Krimeve i Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe kapi dhe vuri në pranga shtetasit D. R., 57 vjeç, banues në Elbasan dhe S. K., 39 vjeç, banues në fshatin Hot.
57-vjeçari ishte shpallur në kërkim, më datë 03.07.2024, si autor i dyshuar i kultivimit të 2464 bimëve narkotike cannabis sativa, në fshatin Selcë, ndërsa shtetasi S. K. u identifikua si bashkautor në këtë veprimtari kriminale, si rezultat i hetimit proaktiv.', njofton policia.