Së shpejti, transaksione në euro, Mete në takimin e ministrave të Ballkanit: Avancuam anëtarësimin në sistemin europian të pagesave

27 Prill, 13:38| Përditesimi: 27 Prill, 15:23

  • Share

Ministri i Financave Ervin Mete mori pjesë në takimin e Ministrave të Çështjeve Evropiane dhe Financave të Ballkanit Perëndimor në Podgoricë të Malit të Zi. Ky takim vjen dy ditë pas miratimit nga Parlamenti Evropian të Paketës prej 6 miliardë eurosh të Planit të ri të Rritjes për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Për ministrin Mete kjo Paketë Financiare është një shenjë e qartë e mbështetjes së BE për përshpejtimin e reformave dhe procesit të integrimit të rajonit dhe theksoi rëndësinë e anëtarësimit të Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA) dhe përparimet e bëra në këtë drejtim.

“Hapja e SEPA-s për vendet jo anëtare të BE-së, si pjesë e Planit të ri të Rritjes së Komisionit të BE-së, paraqet një mundësi unike për Ballkanin Perëndimor për uljen në mënyrë të konsiderueshme të kostove të pagesave brenda rajonit. Ekonomitë e Ballkanit Perëndimor janë shumë të ndërlidhura me Bashkimin Evropian, prandaj është me rëndësi që ne të synojmë krijimin e lidhjeve efikase të pagesave ndërkufitare,” u shpreh ai.

Ministri Mete tha se Shqipëria është një fazë të avancuar sa i përket përmbushjes së kritereve të BE-së për SEPA-n, ndërsa ka realizuar procedurën e para-aplikimit.

“Shqipëria është në një fazë të avancuar sa i përket plotësimit të kritereve për anëtarësim në SEPA. Banka e Shqipërisë ka miratuar setin e rregulloreve të nevojshme dhe në fund të muajit të kaluar kemi përfunduar procedurën e para-aplikimit,” u shpreh më tej ministri, informon zyra e shtypit e kësaj ministrie. 

Përfshirja në Zonën e Vetme Evropiane të Pagesave sjell përfitime të shumta për vendet e rajonit, si reduktimin e kostove të transaksioneve bankare dhe lehtësimin e tregtisë.

Drejtoresha për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Negociatat e Fqinjësisë dhe Zgjerimit, KE, Znj. Valentina Superti, shprehu mbështetjen e saj për vendet e rajonit në lidhje me anëtarësimin në SEPA.

Do t’ju mbështesim për të avancuar me procesin, i cili sjell lehtësimin e tregtisë në rajon. Për ne është mjaft i rëndësishëm bashkëpunimi mes vendeve të Ballkanit në mënyrë që ata të kenë një rritje të eksporteve dhe të bëhen edhe më atraktivë sa i përket investimeve të huaja,” tha ndër të tjera Znj. Superti, duke veçuar se Shqipëria dhe Mali i Zi janë në fazë të avancuar sa i përket aplikimit" u shpreh ajo, informon zyra e shtypit.

Ndërsa Ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatorja për Integrimin në Bashkimin Europian, Znj. Majlinda Dhuka, vlerësoi votimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor nga Parlamenti Evropian, duke e cilësuar një sinjal të qartë të mbështetjes politike të BE për vendet e rajonit. Ajo theksoi se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të thellojnë më tej bashkëpunimin mes tyre për të rritur konvergjencën me BE-në.

S.G//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?