Streha rrezikon të shembet, ndërsa varfëria është ulur këmbëkryq në sofër. Çifti i bashkëshorteve, Myzejem dhe Artan Koprelli prej vitesh jetojnë me të ardhura minimale. Kryefamiljari në raste të rralla gjen punë sezonale në bujqësi apo ngarkim-shkarkim të mallrave.
Ndihma ekonomike prej 3600 lekësh (të reja) në muaj, nuk mjafton as për ilaçe. Myzejemi tregon se pak muaj më parë i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale në zemër, që e kufizon në aktivitetin e përditshëm.
Në shtëpinë e 55-vjeçarëve nga Sheqerasi i Maliqit, dritaret dhe dyert e shkatërruara nuk i mbrojne nga i ftohti e lagështia, ndërsa tavani i shtëpisë rrezikon të shembet.
“Po ndodh një tragjedi këtu! Gati po bie shtëpia! Unë jam operuar për zemren kam vendosur valvul. Marr disa ilaçe me rimbursim por të tjerat duhet t’i blej, por s’kam mundësi. Unë jam e pamundur për të punuar. As punët e shtëpisë nuk i bëj dot por më ndihmon burri. KEMP s’më kanë dhënë se më thonë s’të takon. Dëbora na hyn brenda e nxjerrim me lopatë. Kemi kërkuar ndihmë por bashkia s’na ndihmon. Edhe për burrin kërkoj punë me kohë të plotë. Kërkojnë ndihmë nga shteti dhe nga njerëzit, kushdo që ka mundësi: Ju lutem më ndihmoni për të rindërtuar shtëpinë!”, tha ajo për mikrofonin e Report TV.
Çifti i bashkëshortëve nuk ka mundësi për të ripartuar shtëpinë, ndaj me lot në sy Myzejemi kërkon ndihmë nga shteti dhe organizatat e bamirësisë. Mes të tjerash ajo kërkon dhe një vend pune për bashkëshortin. Myzejem dhe Artan Koprelli janë prindër të dy vajzave, tashmë të martuara dhe në pamundësi ekonomike për të ndihmuar prindërit.
Komente
