Maliq-Një ngjarje e rëndë është regjistruar ditën e djeshme në qytetin e Maliqit. Një 59-vjeçar ka rënë në prangat e policisë pasi dyshohet se ka ngacmuar seksualisht një 12-vjeçare.
Sipas dëshmive të dhëna në polici nga nëna dhe e mitura në prani të psikologut, vajza kishte dalë për të hedhur mbeturinat dhe teksa po kthehej fqinji i saj i ka dalë në katin e dytë dhe i ka zënë rrugën.
59-vjeçari dyshohet se e ka prekur në pjesë intime dhe ka tentuar ta puthë ndërkohë që vajza është përpjekur disa herë të largohet. Ai i ka dhënë disa karamele si dhe i ka thënë se do ti jepte lekë, por vajza arriti të largohet pasi e goditi në këmbë.
Pas ngjarjes së rëndë e mitura ka rrëfyer incidentin e ndodhur prindërve të cilët menjëherë denoncuan ngjarjen në Polici.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Maliq arrestuan në flagrancë shtetasin S. B., 59 vjeç, pasi dyshohet se ka ngacmuar seksualisht një 12-vjeçare”, njoftoi sot policia.
Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë,për veprime të mëtejshme.
Komente
