Në fushën pjellore të Maliqit ka nisur prej disa ditësh fushata e korrjes së grurit.
Cilësia është e mirë, por fermerët përballen me një problem madhor: Mungesën e tregut.
Fermeri Fuat Orhani ka arritur të korrë dhe prodhojë rreth 400 kuintalë, por s’ka shitur asnjë kilogram grurë. Ai thotë se tregtarët dhe fabrikat po e grumbullojnë me 26–28 lekë për kilogram. Me këtë çmim, tregon ai, nuk mbulon as koston e prodhimit.
“Tregu është barrë që t’i pret krahët, nuk të mbështet. Të shesës grurë me 28 lekë, skandal. Kur të huajtë e kanë 30 lekë. Të ndjeja kënaqësi minimalja me 35 lekë, ose të paktën 32 lekë. Kur tokat mbetën djerrë dhe nuk e ndjejmë dorën e shtetit”, shprehet ai i zhgënjyer nga situata.
Përveç problemeve me tregun, një tjetër shqetësim është mungesa e ujit për vaditje. Sipas fermerit Petrika Qirjo, thatësira ka ndikuar negativisht edhe në zhvillimin e kulturave të tjera bujqësore.
"Një hektarë me grurë dhe 30 dynim me misër. Shiko, ka ujë, kthe kokën, a shikon gjë ujë, ke ujë, ka gjë? Po sa kemi hedhur, sa kemi marrë me dap, ure, plehra, shkurt t’i biem, sa për të ngrënë bukën!”, rrëfen fermeri.
Në fushën e Maliqit janë të mbjella aktualisht 3800 hektarë me grurë dhe 1000 hektarë me elb dhe thekër. Drejtuesit lokalë sugjerojnë fermerët që të ruajnë grurin në magazina, me shpresën se muajt në vijim, çmimi në treg mund të rritet.
Arben Dulellari, drejtori i Bujqësissë në Bashkinë Maliq u jep këtë këshillim, teksa punohet edhe për zgjidhje të tjera.
“Do i sugjeroja fermerëve pastrimin dhe dezinfektimin e depove ku të mbajnë grurin, që ta ruajnë nga insektet”, thotë zyrtari vendor.
ipas INSTAT, në mbarë vendin prodhimi i grurit njeh rënie drastike. Në 2023-shin u prodhuan 233 mijë tonë grurë, ndërsa në 2024-ën prodhimi ra në 180 mijë tonë, për shkak të uljes së sipërfaqes së kultivuar nga fermerët.
Komente
