Politikë

Maliqi për Report Tv: Duhen dorëheqje në PD! Nëse s’bëjmë analizë, Rama do na turpërojë përsëri

4 Korrik, 14:10| Përditesimi: 4 Korrik, 18:10

  • Share

Nëse opozita nuk bën një analizë të thellë brenda vetes së saj me rigjenerim struktursh, dorëheqje të njerëzve që dështuan më 11 maj, përveç Sali Berishës dhe vendosjen e kandidatëve të fortë, atëherë Edi Rama do i turpërojë përsëri në zgjedhjet e radhës dhe të mos futen fare në garë.

Ky është mendimi i kandidatit opozitar në zgjedhjet e 11 majit për qarkun e Beratit, ish-ligjvënësit Lefter Maliqi, për situatën paszgjedhore dhe humbjen e thellë të PD-ADSHM.

I ftuar në ‘Sot, Live në Shqipëri’ nga moderatori Nertil Agalliu, në Report Tv, ai kritikoi ashpër përzgjedhjen e drejtuesve politikë, strukturave elektorale dhe kandidatëve, teksa tha se shkaku kryesor që në Berat nuk u fitua mandati i tretë nga opozita ishte drejtuesi politik Eno Bozdo.

Ndërsa kërkoi qeveri teknike me ndërhyrje të ndërkombëtarëve, ish-deputeti Maliqi u shpreh se vetëm analiza e thellë, dorëheqjet në PD dhe riorganizimi mund ta sillnin opozitën një ditë në pushtet nëpërmjet rotacionit. Maliqi kërkoi edhe përgjegjësi penale për ata që kanë tjetërsuar votën pas rinumërimit, duke shtuar se nuk priste ndryshim mandatesh nga procesi.

“Nga rinumërimi nuk pritej ndryshim i mandateve. Shkelësit duhet të mbajnë përgjegjësi. Kushdo tjetërson votat duhet të ndëshkohet. Në PD la për të dëshiruar organizimi. Nuk pati përfaqësim në rrethe me figura. Nëse dilja i vetëm e fitoja mandatin tim të deputetit. Sepse do fokusohesha vetëm në zonën time të Kuçovës, unë bëj. Mandati i trtë në qarkun e Beratit u humb prej Eno Bozdos. Unë besoj se do të ketë zgjedhje të tjera dhe qeveri teknike, sepse SHBA do ndërhyjë për votën e lirë. Unë nuk them se i bleu të gjitha mandatet, por të paktën 10 prej tyre po. Sepse vuri në dispozicion bonusin e pensioneve, faljen e gjobave dhe të tjera si farsa elektorale, treni bullgar. Ndërkombëtarët të ndërhyjnë për qeveri teknike”, tha ai.

Por cilat duhet të jenë masat brenda opozitës dhe a ka nevojë për dorëheqje apo largime, përfshi edhe kreun e saj Sali Berisha?

“Duhet të ketë dorëheqje në PD, të nivelit të lartë dhe në degë. Jam edhe për emërime apo komandime për një periudhë të shkurtër, që të rishikohet anëtarësia, të shtohen anëtarë të rinj, nga sipër deri te degët. Por unë jam kundër largimit të Sali Berishës në këto momente. Kurse drejtuesit e tjerë të cilëve ai i besoi, nuk e ndoqën dot, nuk e shpërblyen me punë, një pjesë vinin ose s’vinin, një pjesë punuan me përçarjet, nuk pati organizatorë, nuk pati përballje dhëmbë për dhëmbë”, vijoi ish-deputeti i PL-së (ish-LSI).

Por nëe nuk riorganizohen strukturat dhe nuk bëhet analiza, atëherë ai u shpreh i bindur se do marrin një tjetër humbje të turpshme prej Edi Ramës, edhe sikur të ketë qeveri teknike apo ky i fundit të mos jetë kryeministër.

“Duhet të ketë një riorganizim, sepse kemi edhe zgjedhje të pjesshme lokale. Të mendohen mirë për kandidatin lokal në Berat, ose të mos vendosin fare kandidat, sepse nuk mund të pranohet një tjetër turp. Pasi zgjedhjet e fundit ishim 6500 vota pas. Nëse nuk bëhet analizë dhe vazhdon me këtë gjendje opozita, atëherë Rama ta gëzojë edhe fitoren e radhës. Sepse edhe qeveri teknike të ketë, edhe të iki Rama, po nuk punove dhe analizove, nuk fiton dot, nuk bën dot rotacion, nëse ka konsumim figurash”, analizoi ai.

Por a do të jetë Maliqi kandidat për zgjedhjet e parakohshme lokale në Berat, pasi ish-kryebashkiaku Ervin Demo është zgjedhur deputet i parlamentit më 11 maj?

“Unë jam sigurisht drejt Kuçovës dhe nuk mund t’i tradhtojë banorëve atje, në varësi edhe të konsultimit me doktor Berishën dhe zotin Meta do shikohen edhe diskutimet në Berat për bashkinë. Unë pranoj çdo lloj sfide, luftoj vetëm për fitore, nëse e humb bashkinë e Beratit me 2 mijë vota, unë largohem nga politika, edhe Kuçovën nëse e humbas me 1 mijë vota, unë largohem”, përfundoi ish-ligjvënësi.

A.Q/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Kuçovari: 04/07/2025 15:07

    Me 2000 dhe 1000 vota humbje??? Po duhet të largohesh sikur qoftë dhe me 1 votë more..ç'është ky numër kaq i lartë hahah

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si e gjykoni etiketimin në Kuvend të Flamur Nokës ’media vari Kar-lo’?