“Një pritje e gjatë /E ëmbël, e zjarrtë/ Ca hapa trokasin si zemër/ këtë natë…” Kështu nis kënga “Mall”. Ne ndjekim ritmin e saj, të Tij … ! Eugent Bushpepa, pasi shkëlqeu në gjysmëfinale e Eurovizionit, që u mbajt në Portugali në Altice Arena në Lisbonë, dhe u kualifikua për të kënduar në natën finale, na la me shijen e një kënge magjike, që kurrë nuk të lodh edhe me dëgjimin e së njëqindtës herë.
Gjithë shqiptarët, dhe jo vetëm ata, për herë të parë bashkohen në një dëshirë që Eugent Bushpepa të fitojë edhe në finalen e madhe të Eurosong 2018, ashtu siç ishin në një mendje, kur rrëmbeu Çmimin e Madh të Festivalit të 56-të të Radiotelevizionit Shqiptar.
Një poezi malli e shkruar nga vetë Bushpepa, i kushtohet dashurisë së tij, por dhe dashurive tona. Ai e ligjëron në këngë ndjenjën dhe filozofinë e tekstit, duke performuar një muzikë që buron që nga brenda zemrës së vetë këngëtarit. Parzmi i Bushpepës buçet sikur të jetë një orkestër e sinkronuar që në zanafillën e poezisë së këngës. Duke buruar nga goja e tij jehonat e mallit, Bushpepa u ngjit në skenën e Eurosong-ut mes duartrokitjeve. Dhe ato dëgjohen gjatë, edhe pse teksti i këngës këndohet shqip para një publiku ndërkombëtar. I dëgjon këto duartrokitje, kur akordohen me vargjet e këngës: “Asgjë në këtë botë/ Nuk mund ta shprehë dot ndjesinë/ Kur zemrat bashkohen dhe prapë rrahin si një”....
Pas përzgjedhjes nga juritë ndërkombëtare për në finalen e madhe të Eurosong 2018, nëse klikon në faqen zyrtare të tij vëren fansat e Bushpepës me origjinë nga të gjitha kombet që shprehin pathos e admirim për këngën “Mall” dhe që i japin pa asnjë rezervë vlerësime të mrekullueshme, duke na bërë të shpresojmë se përveç jurisë Eugent Bushpepa ka nisur të meritojë edhe votat e publikut. Janë këta fansa që kanë shprehur dëshirat e tyre që Shqipëria të fitojë: “Kjo këngë meriton fitore”; Ia urojnë Eugent Bushpepës gjithandej fitoren fansat anglezë, kanadezë, grekë, maqedonas, rusë, izraelitë.
Është magjia e këngës që buron nga një zemër njerëzore kryekëput, që nuk njeh kufij dhe madje shkrin edhe kufijtë e xhelozive më fanatike mes kombeve. Duke ndjekur këngën e Eugent Bushpepës në gjysmëfinalen e parë të Eurovizionit ishte vështirë ta gjeje një vijë ndarëse mes artistit dhe publikut. Kur këndon vargjet “Shoh portretin e saj...” e ndjen se diçka kris muzikalisht brenda zërit a shpirtit të këngëtarit, një krisje që të ngjan me dhembshurinë që të shkakton thyerja e një kristali të çmuar.
Përfytyrime të mrekullueshme të krijon kënga edhe prej qëndrimit të këngëtarit, që nga shprehja e syve tek duart e ritmi i këmbës. Duke e ndjekur Bushpepën nw skenë, te shfaqet gati vizuale loja e imagjinatës përmes pantonimës sa që duket sikur dirigjon ritmet “kapriçioze” të këngës. Në performancën e tij në Eurosong, Eugent Bushpepa shkëlqeu edhe më tepër nën shoqërinë e instrumentistëve Denis dhe Gerti Hima, Besnik Nikolli dhe të vokalisteve Erinda Agolli e Greta Radovani. Kënga “ Mall” u prit me ovacione në Altice Arena tw Lisbonës...
“Sonte kumbo/ prej shpirtit pa fjalë/ Vetëm një çast/ dhimbja të më ndalë/ Ky lot i patharë/ një ditë do shterojë/ nga puthjet e zjarrta që ëndërroi/... Ne atë çast dhimbja do ndalojë”. Dhe ky tekst poetik përcjell përmes ngjyrave plot kontraste të zërit të rrallë të Eugent Bushpepës, me ulje dhe ngritje të menjëhershme të vokaleve, të pazakonta për frymëmarrjen e një këngëtari. Diapazoni muzikal i zërit të tij shpërbëhet në tinguj që të fërgëllojnë zemrën. Çdo fjalë e nxjerrë nga goja e tij kalon në filtrin muzikor, dhe çdo dyshim e ankth për moskalimin në finale, më 8 maj në Lisbonë erdhi duke u fashitur. Eugent Bushpepa ia ka dalë tashmë të sigurojë finalen e madhe në tetin vit të pjesëmarrjes së Shqipërisë në Eurovizion.
Gara e fortë e zërave të Eurosongut
Eurosong 2018 po dallon qartë për një nivel më të lartë se vitet e tjera, dhe që në natën e parë u vu re se bëhet fjalë për një garë të fuqishme, jo vetëm mes këngëtarëve, por dhe vendeve që përfaqësohen në Altice Arena në Lisbonë.
Të ardhur nga garat sfiduese të kompeticioneve më të rëndësishme në vendet e tyre, zërat e këngëtarëve spikasin për origjinalitetin e tyre. Kjo e bën parashikimin e fituesit edhe më të vështirë, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë edhe për muzikën, apo për disa prej perfomancave muzikore. A do të ketë Eugent Bushpepa që sfidon me një poezi, muzikë dhe perfomancë origjinale më shumë fat. Le ta ëndërrojmë sa kohë kemi në dispozicion fitoren.
Bushpepa fitoi në natën e parë të gjysmëfinales së Eurosong-ut ku konkurruan 19 shtete: Azerbajxhani, Islanda, Shqipëria, Belgjika, Republika Çeke, Lituania, Izraeli, Bjellorusia, Estonia, Bullgaria, Maqedonia, Kroacia, Austria, Greqia, Finlanda, Armenia, Zvicra, Irlanda dhe Qipro. Në skenë u ngjit edhe shqiptarja tjetër, Eleni Foureria, e cila përfaqëson Qipron dhe gjithashtu u kualifikua në finale.
Shqiptari i tretë i këtij Eurosongu, Ermal Meta që do të përfaqësojë Italinë me këngën “Non mi avete fatto niente” duke e kënduar së bashku me këngëtarin italian and Fabrizio Moro pritet të garojë direkt në natën finale.
Finalistë që kaluan gjysmëfinalen e parë të Eurovision janë:
Austria: me këngën “Nobody But You” nga Cesár Sampson
Estonia: me këngën “La Forza” nga Elina Nechayeva
Qipro: me këngën “Fuego” nga Eleni Foureira
Lituania: me këngën “When We’re Old” nga Ieva Zasimauskaitė
Izraeli: me këngën” TOY” nga Netta
Çekia: me këngën “Lie To Me” nga Mikolas Josef
Bullgaria: me këngën “Bones” nga EQUINOX
Shqipëria: me këngën “Mall” nga Eugent Bushpepa
Finlanda: Me këngën “Monsters” nga Saara Aalto
Irlanda: me këngën “Together” nga Ryan O’Shaughnessy
Këngëtarët që do të këndojnë në gjysmëfinalen e dytë janë:
Norway - Alexander Rybak me këngën “That's How You write A Song”
Romania - The Humans me këngën “Goodbye”
Serbia - Sanja Ilic and Balkanika me këngën “Nova Deca” (in Serbian)
San Marino - Jessika feat. Jenifer Brening me këngën “Who We Are”
Denmark - Rasmussen me këngën “Higher Ground”
Russia - Julia Samoylova me këngën “I won't Break”
Moldova - DoReDos me këngën “My Lucky Day”
The Netherlands - me këngën “Outlaw in 'Em”
Australia - Jessica Mauboy me këngën “We Got Love”
Georgia - Iriao me këngën “For You” (in Georgian)
Poland - Gromee me këngën “Light Me Up”
Malta - Christabelle me këngën “Taboo”
Hungary - AWS me këngën “Viszlat Nyar” (in Hungarian)
Latvia - Laura Rizzotto me këngën “Funny Girl”
Sëeden - Benjamin Ingrosso me këngën “Dance You Off”
Këngëtarët që kanë kaluar direkt në finalen e Madhe më 12 maj
Në finalen e madhe të Eurosong 2018 do të bashkohen fituesit e dy gjysmëfinaleve të dy netëve të Eurosong-ut, ku sot në darkë do të mbahet gjysmëfinalja e dytë. Këtyre, më 12 maj do t’u bashkohen edhe 6 këngëtarë që kanë kaluar direkt në finalen e madhe. Ata janë:
The United Kingdom - SuRie me këngën “Storm”
Portugal - Claudia Pascoal me këngën “O JardimPortugueseguese”
France - Madame Monsieur me këngën “Mercy” (in French)
Germany - Michael Schulte me këngën “You Let Me Ëalk Alone”
Italy - Ermal Meta dhe Fabrizio Moro me këngën “Non Mi Avete Fatto Niente” (in Italian)
Spain - Amaia dhe Alfred me këngën “Tu Cancion” (in Spanish)
Edicioni i 63-të i festivalit të këngës në Eurovision ka nisur mbrëmjen e së martës më 8 maj në Portugali në Altice Arena në Lisbonë. Portugalia e fitoj të drejtën e mbajtjes së këtij festivali prestigjioz pas fitores së Salvador Sobral në Eurosong 2017 me këngënë “Amar Pelos Dois”.
Gjysmëfinalja e dytë do të mbahet sot më 10 maj dhe Finalja e Madhe, që pritet të jetë një garë e ethshme, do të mbahet mbrëmjen e së shtunës më 12 maj në në Altice Arena në Lisbonë. Eurosong 2018 moderohet nga katër prezantuese të njohura. Ato janë Filomena Cautela, Sílvia Alberto, Catarina Furtado dhe Daniela Ruah.