Fshati Belishovë në Mallakastër i njohur për natyrën e tij piktoreske dhe resurset e naftës, vuan prej 4 dekadash mungesën e investimeve në infrastrukturën rrugore.
Segmenti prej gati 2 kilometrash që lidh disa fshatra , është i amortizuar pothuajse në të gjithë gjatësinë e tij duke u kthyer në makthin më të madh të përditshmërisë së banorëve.
Jemi si mos më keq thonë ata të indinjuar nga neglizhenca dhe premtimet boshe shumëvjecare teksa theksojnë se automjetet u kanë dalë jashtë përdorimit nga gropat e njëpasnjëshme.
Sikur të mos mjaftonte rruga e amortizuar , ata vuajnë edhe mungesën e shërbimeve të tjera bazike. Dikur Belishova numëronte 500 shtëpi ndërsa sot të banueshme janë 200. Braktisjen e fshatit banorët ia faturojnë mungesës së investimeve që e bën perspektivën në këtë zonë të zymtë e të pashpresë.
Kemi humbur besimin te politika thonë banorët ndërsa theksojnë se në rast të mosreagimit do të bojkotojnë zgjedhjet e 11 Majit.
Ndërkohë kryebashkiaku i Mallakastrës, Qerim Ismailaj në lidhje me këtë problematikë ka pohuar se në buxhetin e vitit 2025, tre segmente rrugore në Drenovë të Re, Usojë dhe Belistan janë planifikuar për t’u rikonstruktuar duke filluar nga muaji Maj, pas përfundimit të punimeve për rrjetin e ujësjellësit.
Komente
