FIER - Një ngjarje e rëndë është shënuar rreth orës 11:00 të ditës së sotme (3 shkurt 2025) në fshatin Çorrush të Mallakastrës, ku dy vëllezërit Sabri dhe Novruz Velaj, përkatësisht 90 dhe 85 vjeç, janë gjetur pa shenja jete në banesën e tyre. Të moshuarit, të cilët jetonin të vetëm, ishin të pamartuar dhe nuk kishin të afërm në fshat.
Të dy vëllezërit jetonin vetëm, duke u mbështetur në pensionet e pleqërisë, ndërsa banesa ishte rikonstruktuar rreth tre vite më parë nga Bashkia Mallakastër.
Sipas banorëve të zonës, dyshimet lindën pasi prej disa ditësh ata nuk i kishin parë vëllezërit dhe afër banesës ndihej nerë e rëndë. Banorët njoftuan kryeplakun e fshatit, Ismet Zenelaj, i cili mbërriti menjëherë në banesë e më pas lajmëroi policinë.
“U informova nga kryeplaku i lagjes, Bajram Allkaj, se një nga fqinjët kishte njoftuar për mungesën e vëllezërve prej një jave. Shkova në banesë dhe pashë nga dritarja me ndihmën e një shkalle. Njëri prej tyre ishte i shtrirë në korridor, ndërsa tjetri ndodhej në një dhomë, pjesërisht i zhveshur. Era e rëndë ndihej edhe jashtë, gjë që tregon se mund të kenë ndërruar jetë prej disa ditësh", ka deklaruar Zenelaj.
Policia në vendngjarje bën të ditur se nga këqyrja paraprake e trupave nuk konstatohen shenja dhune, ndaj nuk dyshohet për ngjarje kriminale. Megjithatë mbetet mister fakti se si dy vëllezërit kanë humbur jetën njëkohësisht. Pritet ekspertiza mjeko-ligjore për të përcaktuar shkaqet e vdekjes së dy të moshuarve në Mallakastër.
Komente
