Mallakastër- Kultivoi parcelën me hashash, kapet në flagrancë duke punuar për rritjen e bimëve narkotike 39-vjeçari i dyshuar nga Policia e Mallakastrës.
Operacioni është koduar “Koordinata”, ndërsa janë asgjësuar 31 bimë kanabis sativa që u gjetën të mbjella në një hapësirë toke në fshatin Bejar.
Gjatë ndërhyrjes, u kap në flagrancë në parcelë, Elidon Shehaj, 39 vjeç, i cili u arrestua për veprën penale “kultivimi i bimëve narkotike”.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mallakastër, si rezultat i kontrolleve të kryera në kuadër të planit operacional “Koordinata”, goditën një tjetër rast të kultivimit të bimëve narkotike. Nga kontrollet, në fshatin Bejar u konstatua një parcelë ku ishin kultivuar 31 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa, një pjesë e të cilave u sekuestrua me cilësinë e provës materiale, ndërsa pjesa tjetër u asgjësua nëpërmjet djegies”, bëri me dije policia vendore.
Burime zyrtare thanë se plani operacional policor antikanabis “Koordinata” vijon intensivisht, në të gjithë territorin e qarkut Fier. Kurse dosja për këtë rast i kaloi prokurorisë vendore për hetime të mëtejshme.
Komente
